Ali Ahmeti në Zvicër takon studentët shqiptarë: “Rinia e arsimuar, ura më e rëndësishme për të ardhmen tonë”

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili po qëndron në Zvicër, ka takuar një grup studentësh shqiptarë që studiojnë në universitete të ndryshme të këtij shteti, në kuadër të aktiviteteve për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, shkruan Top24

Në një bashkëbisedim të përzemërt, Ahmeti dhe studentët kanë diskutuar për arritjet kombëtare, si dhe për nevojën e avancimit të mëtejshëm në arsim, shkencë dhe dije.

Gjatë takimit është vënë në pah edhe rëndësia e krijimit të mundësive për bashkëpunim më të thellë ndërmjet studentëve shqiptarë në Zvicër dhe atyre që studiojnë në universitetet e trojeve shqiptare.

Ahmeti ka theksuar se rinia e arsimuar përbën një nga pasuritë më të mëdha të kombit shqiptar dhe një faktor kyç për ndërtimin e së ardhmes.

“Rinia e arsimuar është një nga pasuritë më të mëdha të kombit tonë dhe ura më e rëndësishme për të ardhmen që duam të ndërtojmë së bashku”, thuhet në mesazhin e tij.

Në përfundim, kryetari i BDI-së u ka dëshiruar studentëve shëndet, suksese dhe arritje gjithnjë e më të larta në rrugën e tyre akademike, deri në nivelet më të larta të dijes dhe shkencës.

Takimi është zhvilluar në frymën e festës së 28 Nëntorit, duke vënë në pah rëndësinë e lidhjeve mes diasporës shqiptare dhe të rinjve që studiojnë në universitetet e trojeve shqiptare.