AAONM dënon deklaratën e Mickoskit për Jurisprudencën në shqip: Qasje shoviniste, të drejtat kushtetuese nuk negociohen

Deklarata e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhur me pamundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në tërësi në gjuhën shqipe, ka nxitur reagimin e Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut (AAONM), e cila e konsideron këtë qëndrim një cenim të rëndë të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve, shkruan gazeta KOHA.

Në një deklaratë publike, AAONM shpreh shqetësimin e thellë për qasjen e kryeministrit ndaj përdorimit të gjuhës shqipe, duke vlerësuar se deklarata të tilla bien ndesh me parimet e barazisë dhe karakterin multietnik të shtetit.

“Deklarata e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, lidhur me moslejimin e dhënies së provimit të jurisprudencës në tërësi në gjuhën shqipe, është thellësisht shqetësuese, denigruese dhe shpreh një qasje shoviniste ndaj të drejtave gjuhësore të shqiptarëve”, thuhet në reagimin e organizatës.

AAONM thekson se përdorimi i gjuhës shqipe, i garantuar me Kushtetutë dhe i rregulluar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, nuk mund të varet nga vullneti politik i individëve apo partive që ushtrojnë pushtetin, raporton KOHA. Sipas organizatës, të drejtat gjuhësore nuk mund t’u nënshtrohen interpretimeve arbitrare apo marrëveshjeve politike, pavarësisht pozitave që mbajnë përfaqësuesit institucionalë.

“Përdorimi i gjuhës shqipe, i garantuar me Kushtetutë dhe i rregulluar me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, nuk mund të jetë objekt pazari politik apo interpretimesh arbitrare, të kushtëzuara nga interesat e partive apo individëve, pavarësisht pozitave që ata mbajnë në pushtet. Të drejtat kushtetuese nuk negociohen, por respektohen dhe zbatohen”, thekson AAONM. Organizata vlerëson se barazia ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve duhet të jetë parim themelor i funksionimit të institucioneve dhe jo çështje e vullnetit të shumicës politike.

Në deklaratë, AAONM kundërshton çdo qasje që, sipas saj, e trajton përdorimin e gjuhës shqipe si privilegj dhe jo si të drejtë.

“Barazia e plotë ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve nuk mund të trajtohet si privilegj që një komunitet ia dhuron tjetrit. Ajo përbën një parim themelor të rendit kushtetues dhe një kusht të domosdoshëm për funksionimin demokratik, stabilitetin dhe karakterin multietnik të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në deklaratë. AAONM paralajmëron se respektimi i të drejtave gjuhësore është i pandashëm nga barazia institucionale dhe funksionimi demokratik i vendit.

Organizata Shqiptaro-Amerikane shpreh mbështetje të fuqishme për studentët shqiptarë, të cilët kërkojnë mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. AAONM vlerëson se kërkesa e studentëve është legjitime dhe se e drejta e përdorimit të shqipes duhet të vlejë edhe për provimet e tjera profesionale, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore.

“Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut mbështet fuqishëm kërkesën legjitime të studentëve shqiptarë për dhënien e provimit të jurisprudencës, si dhe të provimeve të tjera profesionale, në gjuhën shqipe, në përputhje me garancitë kushtetuese dhe dispozitat ligjore për përdorimin e gjuhëve”, theksohet në deklaratë.

Pjesë e rëndësishme e reagimit të AAONM-së është edhe thirrja drejtuar faktorit politik shqiptar, veçanërisht partive që janë pjesë e koalicionit qeverisës. Organizata kërkon që zhvillimet e fundit të trajtohen me seriozitet dhe përgjegjësi politike, duke paralajmëruar për rrezikun e cenimit të pozitës kushtetuese dhe institucionale të shqiptarëve.

“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike shqiptare, veçanërisht atyre që janë pjesë e qeverisë, të analizojnë me seriozitet zhvillimet e fundit dhe përpjekjet që rrezikojnë të cenojnë pozitën kushtetuese, politike dhe institucionale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në reagim.

Në përmbyllje, AAONM kërkon unitet politik për çështjet që lidhen me të drejtat themelore, identitetin dhe barazinë e shqiptarëve.

“Kur bëhet fjalë për të drejtat themelore, identitetin dhe barazinë e shqiptarëve, dallimet partiake duhet t’i lënë vend përgjegjësisë së përbashkët dhe unitetit politik”, përfundon deklarata publike e Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut.