Kur mbërrita në punë dhe zbulova se Outlook-u ishte zhdukur nga kompjuteri im, pyeta veten se si do ta përballoja ditën e punës. Pa email-e. Pa kalendar. Pa ftesa për takime.
Pastaj më lindi një tjetër mendim: kur u bëmë kaq të varur nga një kompani e vetme teknologjike, saqë humbja e aksesit në një aplikacion mund të na prishë të gjithë rutinën e punës? Dhe sa na kushton kjo varësi, financiarisht dhe nga pikëpamja mjedisore?
Zakonisht flasim për qëndrueshmërinë duke iu referuar reduktimit të plastikës, uljes së emetimeve të karbonit dhe konsumit më të pakët të energjisë. Por edhe sistemet digjitale që përdorim çdo ditë kanë pasoja të mëdha për mjedisin.
Ndërsa liderët botërorë mblidhen në Turqi për konferencën e OKB-së për klimën, COP31, ndoshta ka ardhur koha të shtrojmë një pyetje të sikletshme: a mund të bëhet vërtet e qëndrueshme ekonomia jonë digjitale, kur një pjesë kaq e madhe e saj varet nga një grusht kompanish teknologjike?
Cloud ka një gjurmë fizike
Cloud mund të tingëllojë si diçka pa peshë, por në të vërtetë ajo funksionon falë qendrave të të dhënave, energjisë elektrike, sistemeve të ftohjes dhe pajisjeve elektronike.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerëson se qendrat e të dhënave konsumuan 415 teravat-orë energji elektrike në vitin 2024, ose rreth 1,5% të kërkesës globale. Sipas parashikimeve të saj, deri në vitin 2030 ky konsum mund të arrijë në 945 teravat-orë, kryesisht për shkak të inteligjencës artificiale dhe shërbimeve të tjera digjitale.
Raporti i vetë Microsoft-it për qëndrueshmërinë, i publikuar në vitin 2026, tregon kontradiktat që shoqërojnë këtë zhvillim. Kompania raportoi një rritje prej 25% të emetimeve totale në vitin 2025, krahasuar me një vit më parë. Kjo erdhi kryesisht si pasojë e zgjerimit të qendrave të të dhënave dhe ndryshimeve në mënyrën e llogaritjes së certifikatave të energjisë së rinovueshme. Microsoft po investon gjithashtu në energji më të pastër dhe infrastrukturë më efikase. Të dyja këto fakte kanë rëndësi: përparimi teknologjik mund të ulë emetimet për çdo proces, por zgjerimi i shërbimeve rrit kërkesën e përgjithshme për energji.
Të shtrojmë pyetjet e duhura
Në tetor, presidenca turke e COP31 prezantoi nismën vullnetare të Antalias për inteligjencën artificiale. Ajo synon të nxisë zhvillimin e një inteligjence artificiale që merr parasysh ndikimin në klimë, duke pranuar njëkohësisht se kjo teknologji kërkon sasi të mëdha energjie dhe uji.
Instituti Botëror i Burimeve, një organizatë ndërkombëtare kërkimore, e mirëpriti drejtimin e kësaj nisme, por paralajmëroi se angazhimet vullnetare kanë nevojë për mekanizma më të fortë llogaridhënieje. Ndërkohë, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit ka planifikuar për 16 nëntor një aktivitet në kuadër të COP31, ku do të diskutohet financimi i infrastrukturës digjitale më të pastër, matja e emetimeve dhe promovimi i pajisjeve elektronike jetëgjata, të riparueshme dhe të ripërdorshme.
Mesazhi është i qartë: qëndrueshmëria nuk mund të kufizohet vetëm te përdorimi i energjisë më të pastër. Ajo lidhet edhe me atë që blejnë kompanitë e teknologjisë, sa gjatë i përdorin pajisjet dhe kush i përballon pasojat mjedisore.
Kur një vendim për softuerin kthehet në faturë për pajisjet
Mendoni për një kompjuter që ende funksionon, por nuk mund të mbështesë një sistem operativ më të ri. Mbështetja e zakonshme për Windows 10 përfundoi në tetor 2025, megjithëse Microsoft ofron përditësime të zgjeruara sigurie për pajisjet e konsumatorëve që plotësojnë kushtet, deri në tetor 2027.
Kalimi në një sistem të ri nuk do të thotë se çdo kompjuter i vjetër bëhet i papërdorshëm. Megjithatë, mbështetja dhe përputhshmëria e softuerit mund të ndikojnë në vendimin e organizatave për të zëvendësuar pajisje që përndryshe do të vazhdonin të funksiononin.
Prodhimi i pajisjeve kërkon energji dhe lëndë të para. Ai gjeneron gjithashtu mbetje elektronike. Sipas raportit global të OKB-së për mbetjet elektronike, në vitin 2022 në mbarë botën u krijuan 62 milionë tonë metrikë mbetje të tilla, nga të cilat vetëm 22,3% u dokumentuan si të grumbulluara dhe të ricikluara zyrtarisht.
Këto shifra përfshijnë të gjitha mbetjet elektronike dhe jo vetëm ato që lidhen me Microsoft-in. Megjithatë, ato tregojnë pse zgjatja e jetëgjatësisë së pajisjeve duhet të jetë pjesë e politikave për mbrojtjen e klimës.
Kostot që rrallë llogariten
Një abonim për përdorimin e softuerit ka një çmim të dukshëm. Më pak të dukshme janë kostot e trajnimit të punonjësve, transferimit të skedarëve, zëvendësimit të pajisjeve, mirëmbajtjes së sistemeve paralele dhe, në fund, ndërrimit të ofruesit të shërbimit.
Ekonomistët i quajnë këto kosto të ndërrimit. Ato mund t’i mbajnë organizatat të lidhura me ofruesit ekzistues, edhe kur shfaqen alternativa me çmime më të favorshme.
Kjo nuk është thjesht një mundësi teorike. Në mars 2026, Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve në Mbretërinë e Bashkuar njoftoi planet për të hetuar ekosistemin e programeve kompjuterike për bizneset të Microsoft-it. Ai raportoi gjithashtu se ofruesit kryesorë të shërbimeve cloud, përfshirë Microsoft Azure dhe Amazon Web Services, kishin ndërmarrë hapa për të ulur tarifat e transferimit të të dhënave dhe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, duke ua lehtësuar bizneseve kalimin nga një ofrues te tjetri.
Çfarë lidhjeje ka kjo me qëndrueshmërinë? Një blerës që nuk mund ta ndërrojë lehtësisht ofruesin mund ta ketë të vështirë të zgjedhë edhe shërbime kompjuterike me emetime më të ulëta. Ky është një ndikim i mundshëm mjedisor i varësisë nga një ofrues i vetëm, jo një provë se përdoruesit e Microsoft-it shkaktojnë më shumë emetime karboni.
Ekziston edhe një problem më i gjerë me mënyrën e llogaritjes së kostove. OKB-ja vlerëson se mbetjet elektronike në shkallë globale u shoqëruan me rreth 78 miliardë dollarë kosto të jashtme në vitin 2022, përfshirë ndotjen dhe ndikimet e lidhura me klimën. Këto kosto zakonisht nuk pasqyrohen në çmimin e një licence softueri.
Prandaj, një vendim i përgjegjshëm për prokurimin e teknologjisë duhet të marrë parasysh kostot financiare gjatë gjithë ciklit të përdorimit, jetëgjatësinë e pajisjeve dhe të dhënat e besueshme për emetimet, në vend që të fokusohet vetëm te fatura e radhës vjetore.
Liria për të zgjedhur
A mund të përdorin vendet e punës alternativa si Thunder bird dhe Libre Office, apo shërbime cloud që funksionojnë me sisteme të ndryshme? Në shumë raste, po. Por kalimi te një sistem tjetër ka kostot e veta dhe një ofrues konkurrues nuk është domosdoshmërisht më i mirë për mjedisin.
Synimi më i mirë është liria për të zgjedhur: të dhëna që mund të transferohen lehtësisht, formate dokumentesh të hapura, pajisje që mund të riparohen, raportim transparent për ndikimin mjedisor dhe kontrata softuerësh që nuk penalizojnë ndërrimin e ofruesit.
Sistemet digjitale që mbeten të përballueshme, konkurruese dhe të përgjegjshme ndaj mjedisit, edhe kur ndryshon teknologjia e preferuar, do të jenë më të qëndrueshmet./ The Conversation – Syri.net


