​Vlora Çitaku përfaqëson Kuvendin në grupin punues për strategjinë për ish-krerët e UÇK-së

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, do ta përfaqësojë legjislativin në grupin punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë e bëri të ditur kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se përfshirja e institucionit në këtë proces synon të kontribuojë në hartimin e strategjisë.

Haxhiu bëri të ditur se Kuvendi do të mbajë komunikim të vazhdueshëm me Çitakun, ndërsa në proces pritet të përfshihen edhe ekspertë të fushës, të cilët do të mund të japin kontributin e tyre profesional.

Vlora Çitaku përfaqëson Kuvendin në grupin punues për strategjinë për ish-krerët e UÇK-së

Haxhiu për ish-krerët e UÇK-së: Prioritet duhet të jenë strategjia dhe apeli

“Çfarëdo veprimi i yni duhet të jetë i koordinuar me ekipet mbrojtëse. Ne kemi pasur diskutime të gjata sa i përket ligjit që është miratuar në Kuvend dhe pret të dekretohet nga presidentja. Është e rëndësishme të marrim veprime që ndikojnë drejtpërdrejt në këtë proces, të mbrojtjes që duhet t’ua ofrojmë personave që janë në Hagë, dhe jo të bëjmë veprime që duket se po bëjmë diçka. Prioritet duhet t’i jepet strategjisë, punës së anëtarëve të grupit punues dhe ekspertëve, bashkë me ekipet mbrojtëse”, tha ajo.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se deputeti Adnan Rrustemi do ta përfaqësojë këtë parti në grupin punues për hartimin e strategjisë për ish-krerët e UÇK-së.

“Nga ana e Grupit Parlamentar të LVV-së do të jetë deputeti Adnan Rrustemi, i cili, në bashkëpunim me organizatën, do të japë kontribut maksimal në këtë grup punues”, tha Nagavci.

Ndërkaq Besnik Tahiri nga Aleanca ka bërë të ditur se nga kjo parti në grupin punues do të jetë Bekë Berisha.

Bekë Berisha përfaqëson Aleancën në hartimin e strategjisë për ish-krerët e UÇK-së

Ndryshe, më 16 shtator, në shkallën e parë, Dhomat e Specializuara kanë dënuar ish-krerët e UÇK-së me 81 vjet burgim. Hashim Thaçi me 25 vjet, Jakup Krasniqi me 25 vjet, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.