Nëpërmjet një komunikate nga partia shqiptare në qeveri thonë se Shkupi dhe Prishtina janë gjithnjë e më afër njëra tjetrës.
“Nga Shkupi në Prishtinë për rreth 50 minuta me tren. Ky është synimi i ndërmarrjeve hekurudhore të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, të cilat po punojnë që linja direkte mes dy kryeqyteteve të vihet në funksion gjatë vitit të ardhshëm”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, për qytetarët që udhëtojnë mes dy vendeve, kjo do të thotë mundësi e re transporti dhe më pak kohë udhëtimi për punë, studime apo vizita familjare.
“Lidhja me Kosovën po shtyhet përpara edhe përmes projektit strategjik të autostradës Shkup–Bllacë. Përfundimi i këtij segmenti do të lehtësojë qarkullimin drejt Prishtinës dhe transportin e mallrave, duke plotësuar lidhjen me autostradën në anën e Kosovës.
Për VLEN-in, këto dy projekte kanë rëndësi të veçantë. Qytetarët dhe bizneset në të dyja anët e kufirit kanë lidhje të përditshme dhe gjatë kanë pritur për qarkullim të lehtë e të shpejtë.
Angazhimi ynë në Qeveri është që këto projekte të realizohen sa më parë, për t’ua lehtësuar qytetarëve udhëtimin dhe bizneseve transportin e mallrave. Me autostradën Shkup–Bllacë dhe linjën direkte hekurudhore, Shkupi e Prishtina do të jenë më afër edhe në jetën e përditshme”, thonë nga VLEN.


