Me një mesazh për dije, punë, integritet dhe këmbëngulje, rektori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Ahmeti, iu drejtua studentëve të rinj me rastin e fillimit të vitit të ri akademik. Në fjalimin e tij, Ahmeti theksoi rëndësinë e veçantë që Universiteti i Tetovës ka në historinë e arsimit shqip, duke u shprehur se studentët e rinj tashmë bëhen pjesë e kësaj historie.
“Universiteti i Tetovës nuk lindi në rrethana të zakonshme. Ai lindi nga një nevojë e thellë për dije dhe nga bindja se arsimi nuk është privilegj, por e drejtë; se gjuha, kultura dhe dija janë pjesë e dinjitetit të njeriut”, tha rektori Ahmeti. Ai u bëri thirrje studentëve që emrin e Universitetit të Tetovës ta mbajnë me krenari, por njëkohësisht edhe të kontribuojnë në vazhdimin e historisë së tij përmes dijes, punës dhe rezultateve. “Historia e këtij Universiteti tashmë nuk u përket vetëm atyre që e themeluan dhe atyre që e ndërtuan. Nga sot, një pjesë e saj ju përket edhe juve. Dhe mënyra më e mirë për ta nderuar atë histori nuk është vetëm ta kujtojmë. Është ta vazhdojmë me dije, me punë, me integritet dhe me rezultate”, u shpreh Ahmeti.
Duke iu drejtuar studentëve të vitit të parë, rektori theksoi se Universiteti nuk duhet të jetë vetëm vendi ku fitohen njohuri profesionale, por edhe hapësirë ku të rinjtë mësojnë të mendojnë në mënyrë të pavarur, të argumentojnë dhe të dëgjojnë mendime ndryshe. Ai i inkurajoi studentët të mos dekurajohen nga vështirësitë gjatë studimeve dhe të mos lejojnë që një provim apo një notë të ndikojë në besimin e tyre në aftësitë personale. “Jeta akademike nuk është një rrugë pa pengesa. Është një rrugë në të cilën mësojmë edhe nga pengesat. Shpesh, pikërisht momentet më të vështira na mësojnë më shumë për veten sesa momentet e suksesit”, tha rektori.
Në fjalimin e tij, Ahmeti iu referua edhe ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe ndikimit të inteligjencës artificiale, digjitalizimit dhe teknologjive të reja në profesionet dhe mënyrën e të mësuarit. Sipas tij, universiteti duhet t’i përgatisë studentët jo vetëm për provimet dhe vendin e parë të punës, por për një jetë në të cilën të mësuarit do të jetë proces i vazhdueshëm. Ai u bëri thirrje studentëve që të lexojnë, të kërkojnë më shumë, të përdorin laboratorët dhe bibliotekën, të marrin pjesë në projekte e konferenca, të bëjnë kërkime dhe të përdorin teknologjinë për të krijuar. “Mos e kaloni Universitetin vetëm duke pritur të përfundojë. Mos numëroni vetëm provimet që ju kanë mbetur deri në diplomim. Mos lejoni që këto vite të kalojnë pa i jetuar”, u tha Ahmeti studentëve.
Rektori vuri theks të veçantë edhe te familjet e studentëve, duke theksuar sakrificat dhe mbështetjen që prindërit dhe familjarët kanë dhënë për edukimin e tyre.
“Ju sot nuk po na besoni vetëm një student. Po na besoni një pjesë të ëndrrës së familjes suaj. Dhe ne e dimë peshën e kësaj përgjegjësie”, tha ai. Në fund të fjalimit, Ahmeti u tha studentëve se suksesi i tyre nuk do të matet vetëm me diplomën që do të marrin, por edhe me njerëzit që do të bëhen dhe gjurmën që do të lënë në shoqëri. Ai e përmbylli fjalimin me urime për studentët e rinj, duke u dëshiruar shëndet, mbarësi dhe sukses në rrugëtimin e tyre akademik.
“Mirë se erdhët në Universitetin e Tetovës. Mirë se erdhët në Universitetin që nga sot do të jetë pjesë e historisë suaj. Dhe mirë se erdhët në një histori në të cilën, nga sot, edhe ju do të shkruani faqen tuaj”, përfundoi Ahmeti. Me këtë rast janë ndarë edhe në mënyrë simoblike indeksat për studentët që fillojnë studimet në këtë universitet. Po ashtu viti akademik filloi edhe në Fakultetin e Administrimit të Biznesit në Kumanovë. Këtë vit në Universitetin e Tetovë janë pranuar rreth dy mijë studentë të rinj. (koha.mk)


