Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të mërkurën herët se një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, do të organizohet “shumë shpejt”, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë e sulmeve të mëtejshme amerikane ndaj Iranit pas zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA, që mbahen javën e ardhshme, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetarët pas kthimit nga tubimet elektorale në Teksas, Trump tha se ka diskutuar për të dyja konfliktet me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe të dërguarin e posaçëm, Steve Witkoff, në bordin e avionit presidencial “Air Force One”.
“Mendoj se po bëjmë përparim të madh në lidhje me Rusinë dhe Ukrainën. Shumë shpejt do të organizohet një takim,” tha ai.
I pyetur se kush do të marrë pjesë, Trump u përgjigj: “Presidenti Putin dhe Presidenti Zelenskyy”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi kohën, vendndodhjen apo formatin e takimit.
Moska dhe Kievi zhvilluan për herë të fundit negociata paqeje me ndërmjetësimin e SHBA-së në fillim të këtij viti, duke mbajtur tri raunde bisedimesh në janar dhe shkurt, në Abu Dabi dhe Gjenevë. Një takim mes presidentëve të dy vendeve do të jetë një zhvillim i paprecedentë që nga fillimi i luftës në vitin 2022.
Duke kaluar te çështja e Iranit, Trump pretendoi se Teherani dëshiron të arrijë një marrëveshje me SHBA-në, por po i zvarrit negociatat, ndoshta deri pas zgjedhjeve të ndërmjetme të 3 nëntorit.
“Mendoj se në lidhje me Iranin, jemi në një pozicion shumë të mirë. Çështja është se kur dua unë t’i jap fund kësaj?” tha ai, duke përsëritur qëndrimet e tij të fundit mbi këtë konflikt.
I pyetur nëse planifikon sulme të tjera ndaj Iranit pas zgjedhjeve, Trump nuk dha një përgjigje përfundimtare. “Gjithçka është e mundur, por nuk mund t’ju them,” u shpreh ai.
Konflikti mes Washingtonit dhe Teheranit nisi me sulme amerikano-izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit, duke shkaktuar një përplasje më të gjerë rajonale, e cila mbetet e pazgjidhur pavarësisht një armëpushimi dhe një marrëveshjeje për të finalizuar një pakt paqeje.


