Cristiano Ronaldo ka reaguar publikisht për situatën e krijuar me trajnerin e Portugalisë, Jorge Jesus, duke treguar në detaje se çfarë ka ndodhur gjatë grumbullimit të fundit të kombëtares.
Kapiteni portugez kishte premtuar se do të tregonte të vërtetën për largimin e tij nga grumbullimi dhe këtë të martë ka publikuar versionin e tij të ngjarjeve.
Ronaldo tregon se pas përfundimit të Botërorit 2026 kishte përgatitur një letër për tifozët portugezë, të cilën e ruan ende, për t’iu drejtuar atyre në momentin kur të largohet përfundimisht nga kombëtarja.
Sipas tij, pas përfundimit të turneut, presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit i kërkoi të rishikonte vendimin për t’u larguar nga kombëtarja, pasi federata dëshironte që ai të vazhdonte të luante.
Më pas, presidenti e pyeti për Jorge Jesus, i cili ishte një prej kandidatëve për postin e trajnerit.
Ronaldo thotë se e mbështeti zgjedhjen e Jesus dhe se ishte i kënaqur kur ai u prezantua zyrtarisht si trajner.
Pak ditë më vonë, Jesus kontaktoi Ronaldon dhe i kërkoi një takim. Takimi u zhvillua në Cidade do Futebol, ku trajneri i tregoi sulmuesit planin që kishte për aktivizimin e tij.
Sipas Ronaldos, Jesus i kishte thënë se llogariste shumë tek ai dhe se prania e tij ishte thelbësore për projektin. Trajneri i kishte shpjeguar gjithashtu se Ronaldo do të luante ndeshjen e parë dhe të fundit të grumbullimit, ndërsa për menaxhimin fizik do të bënte disa ndryshime gjatë ndeshjeve.
Në atë takim, Jesus i kishte propozuar që Ronaldo të mos udhëtonte me skuadrën drejt Norvegjisë dhe Danimarkës, duke qëndruar në Portugali pas ndeshjes së parë dhe duke u rikthyer për sfidën në “Dragão”.
“Privelegji i qëndrimit në Portugali nuk do të ishte një shembull i mirë”, është shprehur ai, duke shtuar se nuk e konsideronte të drejtë që të vazhdonte të ishte kapiten, ndërsa shmangte udhëtimet me skuadrën.
Sipas tij, Jesus në fund ra dakord me këtë qëndrim.
Ronaldo tregon gjithashtu se në këtë bisedë ishte i pranishëm Simão Coutinho, drejtor sportiv i Al Nassr dhe një prej personave që kishte qenë i përfshirë në afrimin e Jorge Jesus te klubi saudit.
Në prag të grumbullimit, Jesus shkoi në shtëpinë e Ronaldos në Lisbonë për një tjetër bisedë. Sipas yllit portugez, marrëveshjet e arritura më herët u konfirmuan edhe në atë takim.
Ronaldo luajti në ndeshjen në “Alvalade” dhe, edhe pse u zëvendësua, nuk pati asnjë problem me vendimin. Ai madje ia dorëzoi vetë shiritin e kapitenit Bruno Fernandes.
Situata ndryshoi në ditën e ndeshjes ndaj Norvegjisë.
Sipas Ronaldos, gjatë drekës, një prej ndihmësve të Jesusit iu afrua dhe i tha se trajneri dëshironte të fliste me të. Ronaldo pretendon se Jesus e pyeti nëse ishte në gjendje të luante 30 minuta.
Ai pranon se ishte i përqendruar në rikuperimin fizik dhe se, sipas planit fillestar, nuk ishte parashikuar që të luante në atë ndeshje. Megjithatë, pasi Jesus i kërkoi të ishte gati për 30 minuta, Ronaldo pranoi.
Por gjërat nuk shkuan sipas marrëveshjes.
“Nisa nxehjen që nga pjesa e dytë, pashë minutat që kalonin dhe nuk u thirra. Trajneri e kishte thyer fjalën që më kishte dhënë”, ka deklaruar Ronaldo.
Kjo, sipas tij, ishte arsyeja që e çoi situatën drejt përplasjes dhe më pas largimit të tij nga grumbullimi i Portugalisë.
Ronaldo ka theksuar se rrëfimin e tij e bëri në vetën e parë për të sqaruar drejtpërdrejt atë që ndodhi dhe për t’i dhënë fund spekulimeve rreth marrëdhënies së tij me Jorge Jesus.


