Spanja po përballet me reshje të dendura shiu, përmbytje dhe probleme të shumta në disa rajone. Një grua ka humbur jetën pasi u mor nga rrjedha e një përroi pranë Barcelonës, ndërsa autoritetet kanë shpallur alarm të kuq në disa zona dhe kanë pezulluar shërbime transporti e mësimin në shkolla.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, moti i keq ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në Valencia, Katalonjë, Andaluzi dhe Ishujt Balearik, ku janë raportuar banesa të përmbytura, rrugë të pakalueshme, pemë të rrëzuara dhe ndërprerje të qarkullimit. Agjencia meteorologjike spanjolle AEMET ka lëshuar alarm të kuq për Majorkën dhe rajonin e Valencias, për shkak të rrezikut nga reshjet intensive dhe kushtet e rrezikshme atmosferike.
Viktima e regjistruar është një grua që u mor nga rrjedha e një përroi të shtunën në mbrëmje, në zonën e Cabrera de Mar, rreth 25 kilometra në verilindje të Barcelonës. Trupi i saj u gjet të dielën në det. Për shkak të përkeqësimit të motit, autoritetet rajonale kanë mbyllur shkollat në Majorka, Ibiza dhe Formentera. Në Valencia, shërbimet hekurudhore janë pezulluar deri në një njoftim të ri.
Banorët e Valencias, Ibizës dhe Formenterës kanë marrë njoftime emergjente në telefonat celularë, me thirrjen për të shmangur udhëtimet e panevojshme dhe për të treguar kujdes të shtuar. Situata është veçanërisht e vështirë në Ibiza, ku disa automjete kanë mbetur të zhytura në ujërat e përmbytjeve dhe rruga kryesore drejt aeroportit është mbyllur.
Problemet kanë prekur edhe trafikun ajror: disa fluturime janë anuluar, ndërsa të tjera janë devijuar drejt aeroporteve alternative. Për të përballuar situatën, ushtria spanjolle ka dërguar trupa në Ibiza dhe Majorka për të ndihmuar ekipet e emergjencës dhe për të mbështetur operacionet në terren.
Dhjetë persona shpëtohen nga një tunel i përmbytur
Në rajonin e Andaluzisë, reshjet e dendura kanë detyruar shërbimet e emergjencës të kryejnë dhjetëra ndërhyrje. Vetëm në zonën e Almerias janë raportuar 37 operacione shpëtimi gjatë 48 orëve. Ndërkohë, pranë Malagas, dhjetë persona mbetën të bllokuar në një tunel të përmbytur të shtunën në mbrëmje, por u shpëtuan nga zjarrfikësit. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin zonat e rrezikuara, të mos kalojnë rrugë të mbuluara nga uji dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa priten reshje të tjera të forta në orët në vijim.


