Sindikata e Policisë reagon: Të dyshuarit tentuan të përplasin policët, u morën armën zyrtare dhe më pas u zbulua droga

Sindikata e Pavarur e Policisë ka dënuar ashpër, siç thekson, përpjekjet për manipulim politik dhe përfshirjen e përkatësisë etnike në luftën kundër tregtisë së paligjshme të drogës.

Nga sindikata bëjnë të ditur se, sipas informacioneve që disponojnë, gjatë një aksioni policor, personat e dyshuar fillimisht kanë tentuar t’i përplasin me automjet zyrtarët policorë, ndërsa më pas i kanë marrë armën zyrtare njërit prej tyre.

Sipas të njëjtave informacione, gjatë tentativës për t’u arratisur, të dyshuarit kanë shkaktuar disa aksidente trafiku në autostradën Shkup–Tetovë, ku kanë pësuar lëndime. Pas kontrolleve shtesë, sipas sindikatës, është zbuluar edhe drogë, njofton TS.

Nga Sindikata e Pavarur e Policisë theksojnë se përkatësia kombëtare e zyrtarëve policorë nuk duhet të jetë objekt i debatit, pasi ata rrezikojnë jetën e tyre në luftën kundër kriminalitetit.

“Ky lloj krimi nuk njeh kufij etnikë”, theksojnë nga sindikata, duke nënvizuar se lufta kundër trafikimit të drogës duhet të trajtohet si çështje e sigurisë dhe e zbatimit të ligjit, pa ngjyrime politike apo etnike.

Në të njëjtën kohë, sindikata u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe strukturave përkatëse që të kryejnë verifikim dhe kontroll të kujdesshëm të ngjarjes, përfshirë edhe veprimet e zyrtarëve policorë.

Në fund, nga Sindikata e Pavarur e Policisë u bëjnë thirrje partive politike që të përmbahen nga politizimi i rastit dhe të mos mbajnë anën e personave të përfshirë në veprimtari kriminale.