Shteti për herë të pestë ka shpallur në shitje apartamentet e konfiskuara të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, pasi katër përpjekjet e mëparshme për të gjetur blerës për pronat luksoze në Vodno kanë dështuar.
Agjencia për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar edhe në shpalljen e fundit i ka nxjerrë apartamentet në shitje me çmime të reduktuara, të njëjta me ato të shpalljes së mëparshme.
Njëri prej apartamenteve, me sipërfaqe prej 199 metrash katrorë, i cili më parë ishte ofruar për 847.000 euro, në dy shpalljet e fundit është nxjerrë në shitje për 635.200 euro.
Apartamenti tjetër, me sipërfaqe prej 155 metrash katrorë, tani ofrohet për 569.662 euro, ndërsa para dy muajsh çmimi i tij ishte 760.000 euro.
Ndërkaq, apartamenti i tretë, me sipërfaqe prej 200 metrash katrorë, është nxjerrë në shitje për 638.000 euro, që është 212.000 euro më pak se çmimi me të cilin ishte ofruar më parë.
Edhe pas katër tentativave të pasuksesshme për shitjen e pronave, shteti vazhdon përpjekjet për të gjetur blerës për apartamentet e konfiskuara në Vodno.


