Shpërthim i fuqishëm në aeroportin e Riadit

Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar sot në aeroportin e Riadit, në Arabinë Saudite, sipas dëshmisë së një personi të pranishëm në zonë dhe burimeve të tjera të informuara për ngjarjen.

Deri më tani, autoritetet saudite nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me shpërthimin. Zyra e komunikimit e qeverisë dhe Autoriteti i Aviacionit Civil të Arabisë Saudite nuk u janë përgjigjur menjëherë kërkesave për informacion.

Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të shtuara në rajon. Më herët, mediat jemenase raportuan se avionët luftarakë të Arabisë Saudite kishin goditur katër herë aeroportin e Sanaas, kryeqytetit të Jemenit.

Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad ka lëshuar një njoftim për udhëtarët, duke u kërkuar të kontrollojnë statusin e fluturimeve përpara se të nisen drejt aeroportit.

“Ju lutemi, kontaktoni drejtpërdrejt kompaninë tuaj ajrore dhe konfirmoni statusin e fluturimit përpara se të niseni drejt aeroportit”, thuhet në njoftim.

Shpërthimi vjen mes përshkallëzimit të konfliktit me rebelët Huthi të Jemenit, të cilët kanë marrë përgjegjësinë për sulme të mëparshme ndaj aeroportit të Riadit. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende shkakun e shpërthimit të fundit.