Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), admirali Brad Cooper, pretendoi të premten se Iranit i është ndërprerë tregtia detare, përfshirë importet dhe eksportet, ndërsa Uashingtoni ka intensifikuar fushatën kundër të ardhurave të Teheranit nga nafta dhe financimit ushtarak.
Në një videomesazh, Cooper tha se përpjekjet amerikane përqendrohen në tri fusha: kufizimin e eksporteve iraniane të naftës, ndërprerjen e financimit digjital dhe dobësimin e aftësisë së forcave iraniane të sigurisë për të paguar personelin e tyre.
“Për ta theksuar këtë, me përjashtim të ndihmës humanitare që kemi lejuar të hyjë, Irani nuk ka as eksporte dhe as importe përmes detit”, deklaroi Cooper.
Ai tha se forcat amerikane e kanë penguar Iranin të eksportojë naftë bruto me vlerë prej të paktën 25 miliardë dollarësh gjatë muajve të fundit.
“CENTCOM ka mbështetur gjithashtu partnerët amerikanë ndërinstitucionalë në ngrirjen e afro 350 milionë dollarëve në asete të kriptomonedhave digjitale, duke kufizuar më tej aftësinë e Iranit për të financuar terrorizmin ose për të zëvendësuar armët dhe fabrikat që ne shkatërrojmë”, tha ai.
Cooper pretendoi se grupet e lidhura me Iranin, që veprojnë në rajon, kanë filluar t’ua mbajnë pagesat luftëtarëve të tyre, me qëllim që fondet t’i ridrejtojnë te Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Sipas tij, edhe kjo strukturë po përballet me vështirësi në pagimin e personelit.
“Regjimi islamik po e ndien qartë dhimbjen ekonomike, ndërsa IRGC-ja po shfaq gjithnjë e më shumë shenja dëshpërimi si pasojë e kësaj”, deklaroi ai.
SHBA-të pretendojnë se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur
Pavarësisht kufizimeve ndaj tregtisë detare iraniane, Cooper tha se transporti tregtar detar vazhdon përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ai akuzoi Iranin për sulme ndaj anijeve tregtare dhe tha se forcat amerikane po bashkëpunojnë me aleatët rajonalë dhe partnerët e industrisë së transportit detar për të forcuar sigurinë detare.
“Dua të jem i qartë: Ngushtica e Hormuzit kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë rajonalë, jo nga Irani, dhe ajo mbetet e hapur për tregti”, deklaroi Cooper.
Sipas tij, rreth 400 anije tregtare kanë kaluar nëpër ngushticë gjatë shtatë ditëve të fundit.
Ai shtoi se forcat amerikane kanë ndihmuar partnerët e Gjirit në transportimin e më shumë se 100 milionë fuçive naftë bruto përmes kësaj rruge ujore gjatë së njëjtës periudhë. Sipas Cooperit, vëllimi i përgjithshëm i naftës së transportuar me ndihmën amerikane gjatë muajve të fundit ka kaluar 1.3 miliardë fuçi.


