Rrjeti ndërkombëtar i pastrimit të parave, në mesin e bashkëpunëtorëve edhe shqiptarë

Një operacion i gjerë kundër mafias në Itali, Spanjë dhe Zvicër ka çuar në arrestimin e 30 personave dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 21 milionë euro.

Sipas gazetës zvicerane laRegione, në rrjetin e dyshuar kriminal kanë qenë të përfshirë edhe bashkëpunëtorë shqiptarë.

Hetimet e Guardia di Finanza-s italiane zbuluan një strukturë të paligjshme financiare, e njohur si “bankë e fshehtë”, e cila dyshohet se shërbente për pastrimin e parave nga mashtrimet tatimore, trafiku i drogës dhe armëve.

Sipas hetuesve, organizata kishte lëshuar fatura fiktive në vlerë mbi 110 milionë euro, ndërsa rreth 68 milionë euro dyshohet se ishin pastruar ndërkombëtarisht përmes kriptovalutave, transmeton Telegrafi.

Gazeta zvicerane raporton se organizata mbështetej nga bashkëpunëtorë kinezë dhe shqiptarë, por nuk jep detaje për identitetin e tyre dhe nuk konfirmon nëse ndonjë prej shqiptarëve është në mesin e të arrestuarve.

Në kuadër të operacionit, në Lugano të Zvicrës u arrestua një 62-vjeçar me shtetësi italiane, i lindur në Napoli, i cili dyshohet se kishte rol në transferimin e parave dhe konvertimin e tyre në kriptovaluta.

Ai mbahet në paraburgim në pritje të procedurave të ekstradimit.

Operacioni u zhvillua nën koordinimin e autoriteteve italiane, me kontrolle edhe në kantonin Ticino dhe në Spanjë.