Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” rikthehet në Tetovë me edicionin e tij të 30-të jubilar, duke shënuar një ngjarjje të rëndësishme për skenën kulturore të qytetit.
Për disa ditë me radhë, duke filluar nga 15 tetori në orën 19:30 në Qendrën e Kulturës, Tetova do të shndërrohet në një vatër të fjalës së lirë, harmonisë dhe vargut poetik. Poetë të shquar nga vende të ndryshme të globit do të mblidhen së bashku për të ndarë krijimtarinë e tyre, duke ngritur ura miqësie dhe bashkëpunimi ndërmjet kulturave dhe gjuhëve të ndryshme.
Gjatë kësaj mbrëmjeje solemne hapëse do të nderohet me çmimin e madh laureati i këtij edicioni, ndërsa publiku do të ketë rastin të shijojë vargje frymëzuese dhe performanca artistike, thotë drejtori I Festivalit Shaip Emërllahu.
Ky festival vjen në një kohë kur Tetovës I mungojnë ngjarjet kulturore.
Qyteti, që dikur njihej për gjallërinë e tij intelektuale, sot vuan nga një amulli e thellë dhe një mungesë kronike e ngjarjeve të mirëfillta artistike. Teatri, ekspozitat, koncertet dhe netët letrare janë kthyer në raste kaq të rralla, saqë qytetarët dhe veçanërisht rinia tetovare janë lënë në harresë, pa hapësira për zhvillim shpirtëror dhe pa një jetë kulturore dinjitoze.
Në këtë kontekst, “Ditët e Naimit” nuk janë thjesht një ngjarje radhë, por një akt rezistence kulturore. Ky festival mbetet një nga shtyllat e pakta të kulturës, duke mbajtur gjallë identitetin dhe dinjitetin e qytetit nën udhëheqjen e poezisë.
Prandaj, ky edicion i 30-të nuk është thjesht një ftesë për të dëgjuar vargje, por edhe rikthim të zhvillimeve kulturore. Pjesëmarrja e publikut është jetike sepse kultura është ajo që bashkon popujt dhe lidh ura bashkëpunimi edhe me viset më të largëta.


