Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Kosovë ka përcjellë mesazhe për situatën politike në vend, aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, debatin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Von der Leyen u takua me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin mbajti edhe një konferencë të përbashkët për media, raporton lajmi.net
Von der Leyen për aktgjykimin në Hagë
Presidentja e Komisionit Evropian tha se aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka shkaktuar emocione të forta në Kosovë, duke vlerësuar thirrjet për qetësi nga liderët politikë.
Ajo theksoi se përgjegjësia për veprat e gjykuara është individuale dhe nuk lidhet me historinë e rezistencës së Kosovës.
“Asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”, deklaroi Von der Leyen, duke iu referuar represionit të vitit 1999, krizës humanitare dhe vuajtjeve të popullit të Kosovës.
Ajo shtoi se BE-ja ka qenë përkrah Kosovës që nga ajo periudhë dhe bëri dallimin mes përgjegjësisë individuale të të akuzuarve dhe historisë së luftës dhe rezistencës së Kosovës.
“Një gjë është e qartë: ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, tha ajo.
Von der Leyen nënvizoi gjithashtu se mandati i Dhomave të Specializuara duhet të respektohet.
“Kosova vendos për ndryshimet në Ligjin për Specialen”
Sa i përket projektligjit të propozuar nga PDK-ja për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Von der Leyen tha se vendimi i takon Kosovës.
Megjithatë, ajo theksoi se çdo vendim duhet të ruajë pavarësinë e sistemit gjyqësor.
“I përket Kosovës që të vendosë. Është me rëndësi që të garantohet pavarësia e gjyqësorit. Në këtë kuadër, i përket Kosovës që të vendosë se çfarë është e nevojshme të bëhet ose jo, por është me rëndësi që gjyqësori të mbahet i pavarur”, u shpreh ajo.
Von der Leyen: Kosova duhet të punojë për statusin e vendit kandidat
Në fokus të vizitës ishte edhe rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Von der Leyen tha se Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë me Kosovën për avancimin drejt statusit të vendit kandidat, por theksoi se për këtë nevojitet mbështetja e të gjitha 27 shteteve anëtare.
“Për mua është e rëndësishme që të punojmë ngushtë rreth aspiratës suaj që të bëheni shtet kandidat. Duhet t’i bindim 27 shtetet anëtare dhe ato do ta kërkojnë mendimin e Komisionit. Ne punojmë ngushtë për këtë”, tha Von der Leyen.
Sipas saj, përparimi në këtë drejtim lidhet me funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave.
“Mbështetuni tek unë, por për këtë na nevojiten institucione stabile, reforma. Sa më shumë që mund t’i bindim ata për progresin, aq më të mira janë gjasat që të kërkojnë nga Këshilli të dalë me një opinion për propozimin e Komisionit”, deklaroi ajo.
Presidentja e Komisionit Evropian u bëri thirrje partive politike që të vazhdojnë dialogun, duke e lidhur stabilitetin institucional me procesin e reformave dhe integrimit evropian.
“Vura re së fundmi se dialogu mes partive politike është i mundur dhe se ju duhet të vazhdoni në këtë drejtim. Stabiliteti institucional është themeli i gjithçkaje për reforma, për rritje dhe për përparimin në rrugëtimin tuaj drejt BE-së”, tha ajo.
Kurti: Kosova i plotëson kushtet për statusin kandidat
Kryeministri Albin Kurti tha se gjatë takimit me Von der Leyen ka kërkuar avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat në BE.
Kurti tha se, sipas vlerësimit të tij, Kosova i plotëson kriteret për këtë status dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
“Ju siguroj se asnjë reformë evropiane nuk do të mbetet mbrapa”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se në takim ka kërkuar edhe anëtarësimin e Kosovës në Konventën për Tranzitin e Përbashkët, integrimin në organizatat evropiane të standardizimit dhe në Kornizën Evropiane të Akreditimit.
Sipas tij, këto masa do të ndihmonin në lehtësimin e qarkullimit të mallrave mes Kosovës dhe BE-së, duke reduktuar kohën dhe kostot.
Kosova kishte dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022.
Kurti për pretendimet në rastin e ish-krerëve të UÇK-së
Në konferencën e përbashkët, Kurti foli edhe për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai veçoi disa çështje që, sipas tij, duhet të bëhen të njohura ndërkombëtarisht, duke përmendur pretendimet për “Shtëpinë e Verdhë” dhe trafikimin e organeve, për të cilat tha se nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës.
Kurti deklaroi gjithashtu se pretendimet për krime kundër njerëzimit dhe për sulme të gjera e sistematike ndaj popullatës civile, sipas tij, janë rrëzuar.
Vizita e Von der Leyen në Kosovë është pjesë e një turi të saj në Ballkanin Perëndimor. Pas Kosovës, ajo pritet të vizitojë edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina nuk janë pjesë e agjendës së kësaj vizite./Lajmi.net/


