Reuters: Kryeministri shqiptar refuzon të japë dorëheqjen! Revolta e studentëve rritet, nuk u dëgjuan për më shumë se 130 ditë

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar vëmendje protestave në Shqipëri, ku mijëra qytetarë, mes tyre studentë, kanë dalë në rrugë duke kërkuar përgjegjësi nga qeveria dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.

 

Sipas Reuters, kreu i qeverisë shqiptare ka refuzuar kërkesat për dorëheqje, ndërsa protestat në kryeqytet janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë. Gjatë tubimit, disa protestues kanë dëmtuar ambiente dhe objekte publike, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës, granata zhurmuese dhe topa uji për të shpërndarë turmën.

Pakënaqësitë e protestuesve lidhen me disa çështje, përfshirë akuzat për korrupsion, problemet në sistemin arsimor dhe shqetësimet për zhvillimet në bregdetin jugor të vendit. Ata shprehen se kërkesat e tyre nuk janë marrë seriozisht nga autoritetet, pavarësisht protestave të zhvilluara gjatë muajve të fundit.

Agjencia raporton se pas përplasjeve, në disa rrugë të Tiranës kanë mbetur kosha mbeturinash të djegur, stacione autobusësh të dëmtuara dhe semaforë të prishur. Sipas përshkrimit të Reuters, gjatë protestës pati edhe hedhje gurësh, ngritje barrikadash dhe dëmtime të pronave.

 

 

Nga ana e tij, kryeministri Rama është shprehur i gatshëm të dëgjojë dhe të diskutojë shqetësimet e qytetarëve për rritjen e kostove të arsimit, por ka përjashtuar mundësinë e largimit nga detyra. Në një deklaratë me shkrim për Reuters, Rama theksoi se detyra e tij është të dëgjojë qytetarët, të trajtojë shqetësimet e arsyeshme dhe të punojë për përparimin e vendit.