Shtatë ditë protesta për dorëheqjen e tij, Rama forcon masat policore. Dy ujëhedhëse të tjera dallohen në Rinas, ndërsa kryeministri njofton shpërblime prej 2500 eurosh për efektivët.
Ndërsa protesta kundër qeverisë ka hyrë në ditën e shtatë dhe qytetarët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” janë dalluar dy automjete të tjera ujëhedhëse, që raportohet se kanë mbërritur nga jashtë vendit.
Automjetet kanë zbritur nga një avion ushtarak me flamurin turk. Bëhet fjalë për dy automjete më të vogla dhe që mund të përdoren lehtësisht dhe në lagjet e Tiranës. Sipa verifikimeve janë prodhim turk dhe quhen TOMA. Është një top uji i blinduar i projektuar për kontrollin e trazirave nga disa kompani turke.
TOMA është e pajisur kryesisht me një sistem topash uji të kontrolluar nga kompjuteri, që lëshon ujë nën presion nga dy gryka, me një kapacitet rezervuari uji deri në 10,000 litra. TOMA është gjithashtu e pajisur me dy rezervuarë 60 litra për gaz lotsjellës dhe bojë, si dhe një rezervuar shkumë 80 litra. Rezervat e shkumës, gazit lotsjellës dhe bojës mund të lëshohen individualisht nga grykat, ose mund të përdoren në kombinim me ujin.

Ndërkohë, Edi Rama vijon të refuzojë kërkesën për dorëheqje, ndërsa protestuesit kanë hyrë në ditën e shtatë të mobilizimit. Tirana ka qenë epiqendra e përplasjeve, me ndërhyrje të përsëritura të policisë përmes gazit lotsjellës dhe automjeteve ujëhedhëse.
Gjatë ditëve të fundit, demonstruesit janë përballur me forcat e rendit pranë Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme, në sheshin “Skënderbej” dhe në disa akse të tjera të kryeqytetit. Në disa raste janë përdorur gurë, fishekzjarrë dhe koktej Molotov, ndërsa policia ka angazhuar edhe forcat speciale RENEA dhe automjete të blinduara për ruajtjen e institucioneve.
Pavarësisht se situata këtë të hënë paraqitet më e qetë krahasuar me përplasjet e së dielës, kërkesa e protestuesve mbetet e pandryshuar: largimi i Edi Ramës nga drejtimi i qeverisë.
Në vend të dorëheqjes, kryeministri doli sot në një takim me drejtues dhe efektivë të Policisë së Shtetit, ku njoftoi një mbështetje financiare prej 2.500 eurosh për çdo polic të angazhuar në vijën e parë të përballjes me protestat.
Rama premtoi gjithashtu rritje të konsiderueshme të pagave të policisë nga 1 janari, ndërsa mbrojti veprimet e forcave të rendit gjatë ditëve të tensionuara.


