Qeveria franceze ka bërë një hap pas përballë protestave studentore që prej javësh kanë përfshirë vendin, duke paraqitur një paketë propozimesh për arsimin. Por studentët nuk janë të kënaqur dhe paralajmërojnë vazhdimin e demonstratave, ndërsa Franca përgatitet për një tjetër mobilizim kombëtar më 5 nëntor.
Sipas Reuters, përfaqësuesit e studentëve dolën të hënën nga takimi me zyrtarët qeveritarë me një ofertë që përfshin kufizimin e numrit të nxënësve në disa klasa, kredi për rinovimin e shkollave dhe zëvendësimin e sistemit të pranimeve universitare, të cilin studentët e konsiderojnë të padrejtë.
Por lëshimet nuk kanë mjaftuar.
“Nuk janë përmbushur të gjitha kërkesat tona. Do të vazhdojmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, deklaroi Louis Letoublon, një prej përfaqësuesve të nxënësve të shkollave të mesme.
Qeveria nuk i ka konfirmuar ende zyrtarisht propozimet, ndërsa konferenca për shtyp ku pritej të shpalleshin hollësitë është shtyrë. Mbetet gjithashtu e paqartë se sa do të kushtojë paketa, në një kohë kur borxhi publik francez po i afrohet 120% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe qeveria e pakicës e Emmanuel Macron po përballet me vështirësi për miratimin e buxhetit të vitit të ardhshëm.
Protestat, që nisën nga pakënaqësia e studentëve, janë shndërruar në një lëvizje shumë më të gjerë, ku tashmë janë përfshirë sindikatat dhe aktivistët e “Jelekëve të Verdhë”. Dhuna e 17 tetorit, që përfshiu dhjetëra qytete, ngriti shqetësime serioze për aftësinë e autoriteteve për të ruajtur rendin publik.
Presidenti Emmanuel Macron, gjatë një vizite në Marsejë për të parë dëmet e shkaktuara nga protestat e së shtunës dhe për të falënderuar shërbimet e emergjencës, pranoi se trazirat mund të vazhdojnë edhe fundjavën e ardhshme.
Ai paralajmëroi se masat e sigurisë do të mbeten në fuqi dhe se autoritetet do të përpiqen t’i zhvendosin protestat jashtë qendrave të qyteteve.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Laurent Nuñez njoftoi se 1.435 persona u arrestuan në të gjithë Francën gjatë demonstratave të së shtunës. Sipas tij, policia ka evidentuar edhe një fenomen të ri: grupe të organizuara të ekstremit të djathtë që përballen drejtpërdrejt me aktivistët e së majtës radikale.
Në qytete si Nisa dhe Montpellier, këto grupe janë shfaqur të organizuara, duke pretenduar se synojnë mbrojtjen e bizneseve, por sipas ministrit, objektivi i tyre kryesor kanë qenë aktivistët e ekstremit të majtë.
Kriza po prodhon edhe pasoja politike. Sondazhi i publikuar të dielën e vendos Marine Le Pen në krye të garës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, me 32-33,5% të mbështetjes, shumë përpara Jean-Luc Mélenchon, i cili rezulton me 17%.
Pasojat ekonomike janë gjithashtu të rënda. Alain Di Crescenzo, drejtues i rrjetit francez të dhomave të tregtisë dhe industrisë, deklaroi se shumë biznese kanë vijuar të qëndrojnë të mbyllura nga frika e dhunës, ndërsa shitjet kanë rënë me rreth 80%.
“Kemi tregtarë të lodhur dhe të demoralizuar. Po vrasim tregtinë lokale”, deklaroi ai për Radio Classique.
Ndërsa qeveria përpiqet të qetësojë situatën me propozime dhe masa sigurie, studentët nuk japin asnjë sinjal tërheqjeje.
Macron ka ofruar një marrëveshje, por studentët kërkojnë më shumë. Dhe ndërsa qeveria përpiqet të mbyllë krizën në tryezën e negociatave, protesta e radhës kombëtare është caktuar tashmë për 5 nëntor.


