Pse lëshoi pe Kurti?

Ajo çka e ka brengosur posaçërisht Kurtin ka qenë zgjimi dhe angazhimi i brezit më të ri të votueseve në përkrahje të “Liria ka emër”, brohoritjet “UÇK! UÇK!” “Hashim Thaçi! Hashim Thaçi!” etj. të pakandsëshme për veshët e tij.

Nga Shkëlzen Maliqi

Pas mbrëmjes me kthesën dramatike të 6 tetorit, shtrohet pyetja: Athua pse Albin Kurti, pikërisht në dakik të fundit, si në panik, ia bëri ofertën gjeneroze Bedri Hamzës? Propozimi i emrit të presidentes ishte i qëlluar, por çështja është pse e bëri, përderisa ai vetë dhe gati i gjithë opinioni besonte se ai po e çonte vendin drejtë zgjedhjeve, me bindjen se ato do t’i fitojë më lehtë se herëve tjera.

Por, jo. Mendoj se Kurti s’ka qenë aspak i sigurt për epilogun. Ja disa supozime pse lëshoi pe.

E para, pasi që e gjunjëzoi dhe shpartalloi LDK-në me atë udhëheqjen fëmijaqe të Abdixhikut, që supozohej se do ta dobësonte më tutje oponencën e votës shqiptare, Kurtin e ka frikësuar përmasa e protestave të lëvizjes “Liria ka emër” dhe manifestimet e përkrahjes të jashtëzakonshme ndaj krerëve të UÇK-së të dënuar drastikisht nga gjykata speciale pa arsyetime dhe prova bindëse, mbi një konstrukt kontrovers “të ndërmarrjes të përbashkët kriminale” që inkriminon tërësinë e luftës çlirimtare.

Ajo çka e ka brengosur posaçërisht Kurtin ka qenë zgjimi dhe angazhimi i brezit më të ri të votueseve në përkrahje të “Liria ka emër”, brohoritjet “UÇK! UÇK!” “Hashim Thaçi! Hashim Thaçi!” etj. të pakandsëshme për veshët e tij.

Po kështu, supozoi se është konsultuar edhe me sondazhet që i kanë matur dispononim aktual të elektoratit, ku trendet tregojnë për rritjen e përkrahjes të PDK-së, krahas uljes të përkrahjes të VV-së. Kurti është ballafaquar me një trend të plakjes të votueseve të vetë, dhe të rinovimit të elektoratit pro-UÇK, që procesi tashmë i zgjatur në Hagë vetëm do t’i shkon për shtati fuqizimit të opozitës.

Arsyeja e dytë ka qenë pasiguria rreth caktimit të datës të zgjedhjeve. a do të mund të mbaheshin ato në fund të dhjetorit. Nëse do të kishte garantues, si vitin e kaluar kur Vjosa Osmani si presidente i programoj ato për ditën kur diaspora kishte mundësi që më masovisht të votoj n ë Kosovë për festën e vitit të ri, dhe shumica të votojë për VV-në, Kurti do të ndihej më rehat. Por nuk ishte i sigurt a do të ketë president të dëgjueshëm si Vjosa Osmani, që datën e zgjedhjeve do ta shtyjë për javën e fundit të dhjetorit.

Argumentin e tretë e kam spekulativ, por mendoj se duhet të merret në konsiderim. Sado që nuk është bërë publike, mendoj se Albin Kurti kohëve të fundit ka zhvilluar takime aspak të këndshme me liderët dhe diplomatët e huaj që e kanë paralajmëruar se vazhdimi i krizës institucionale gati dyvjeçare është i papranueshëm me pasoja katastrofale për Kosovën dhe për atë personalisht. Ky presion nuk ka qenë në stilin kaubojesk të ish të deleguarit të presidentit Trump Richard Grenel, që shkaktoi kundërefekt, i kontrubuoi rritjes të popullaritetit të Kurtit. Tani ‘gajtani i mëndafshte’ i ‘fetvave’ të Perëndimit por edhe i disa aleatëve të tjerë – s’po thellohem më shumë në spekulime, – i është treguar Kurtit në mënyrë më diskrete, por me fjalë të ashpra kërcënuese.

Megjithatë, kjo kthesë e papritur e Kurtit nuk premton zgjidhjen e menjëhershme dhe të plotë të krizës institucionale dhe të qeverisjes. Kurti mbetet me ambicjet dhe mentalitetin e tij përçarës, por do të ballafaqohet me një ndryshim të rëndlsishëm, që nuk e ka pas kur president ishte Vjosa Osmani, për shumë kohë duke shërbyer si notere e dëgjueshme.

Pasi që u zgjodh Presidente Justina Shiroka Pula, besoj se do të riinstalohet një prej mekanizmave të munguar të kontrollit të qeverisjes që për 6 vite ka qenë praktikisht një qeverisje euforike dhe, praktikisht, gangstereske për shkak të arogancës dhe diletantizmit në ushtrimin e pushtetit, korrupsionit me mijëra tenderë njëburimore, kapjeve të të gjitha instancave të pushtetit etj. .

Kuptohet, boshti i pushteti do të mbetet te Kurti deri në vitin 2030 por s’do të mund më t’I ik nga llogaridhënia për dështimet evidente në politikën e brendshme dhe të jashtme.

Mirëpo, se si dhe sa do të djerësitet Kurti me përmbushjet e obligimeve që i ka si kryeministër, do të mvaret edhe nga energjizimi dhe konsistenca e partive opozitare, që duhet të kthjellen nga letargjia.