Partia Socialiste ka reaguar përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale lidhur me episodet e dhunës gjatë protestave studentore në Shqipëri.
PS ka publikuar pamje që tregojnë dhunimin e disa efektivëve të policisë, si dhe shkatërrimin e bizneseve, duke paralajmëruar se personat përgjegjës për këto akte do të përballen me përgjegjësi ligjore.
Në reagimin e saj, Partia Socialiste thekson se askush nuk është mbi ligjin, ndërsa shprehet se Shqipëria nuk do të kthehet më te e kaluara dhe se e ardhmja u përket qytetarëve shqiptarë.
“Kush ka dorë në këtë katrahurë sigurisht që do të paguajë”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e publikuar nga PS.
Reagimi i plotë i Partisë Socialiste:
“Përgjegjësia para ligjit është e gjithsecilit dhe gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë sigurisht që do paguajë.
Shqipëria nuk do të kthehet më kurrë pas.
Shqiptarët kurrë më nuk do të jenë pengje të së shkuarës.
E ardhmja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaron Partia Socialiste.


