Aktivistja suedeze Greta Thunberg iu bashkua protestave të nxënësve të shkollave të mesme në Francë, ndërsa vendi përgatitej për një tjetër ditë mobilizimi kombëtar kundër problemeve të sistemit arsimor.
“Po na vidhet e ardhmja”, deklaroi Thunberg, 23 vjeçe, para gazetarëve jashtë shkollës së mesme Lycée Paul Éluard, në Saint-Denis, një periferi e Parisit.
E njohur ndërkombëtarisht që në adoleshencë për protestat kundër ndryshimeve klimatike dhe grevat shkollore, aktivistja u shpreh se të rinjtë nuk po përfshihen sa duhet në diskutimet për çështjet që përcaktojnë të ardhmen e tyre.
“ Të rinjtë nuk po përfshihen në bisedime”, tha ajo, duke shtuar se shkollat nuk po marrin investimet e nevojshme.
Mungesa e mësuesve dhe shkollat e amortizuara në qendër të protestave
Protestat kanë hyrë në javën e tretë dhe mbështeten nga sindikatat, një pjesë e mësuesve dhe politikanë të opozitës së majtë radikale.
Nxënësit kundërshtojnë mungesën kronike të mësuesve, mbipopullimin e klasave dhe gjendjen e amortizuar të ndërtesave shkollore. Ata kërkojnë investime publike për përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe të mësimit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme franceze, protestat e së martës së kaluar mblodhën më shumë se 260 mijë persona në të gjithë vendin, ndërsa të enjten morën pjesë rreth 75 mijë protestues.
Për të martën janë parashikuar tubime të tjera në disa qytete të mëdha, përfshirë Parisin. Ndërkohë, nxënësit kanë bllokuar sërish hyrjet e shkollave të mesme në kryeqytet, në Marsejë dhe në qytete të tjera.
Edhe studentët universitarë janë bashkuar me lëvizjen në shenjë solidariteti. Sindikata studentore UE deklaroi në rrjetet sociale se, pasi autoritetet nuk po i dëgjojnë, protestuesit po shkojnë drejtpërdrejt tek ato.
Përplasje me Policinë dhe akuza për përdorim të tepruar të forcës
Protestat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe policisë, ndërsa janë ngritur akuza për përdorim joproporcional të forcës ndaj të rinjve.
Jashtë shkollës në Saint-Denis, avokatë të veshur me togën e tyre formuan një zinxhir njerëzor për të mbrojtur nxënësit, pas raportimeve për incidente dhe pretendimeve për dhunë policore.
Sipas të dhënave të cituara nga autoritetet franceze, më shumë se 6.800 persona, kryesisht të mitur, janë ndaluar gjatë protestave. Rreth 1.500 persona po ndiqen penalisht, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se po hetohen 24 pretendime për dhunë policore.
Bilanci i raportuar përfshin më shumë se 200 adoleshentë, 100 punonjës të shkollave dhe 700 efektivë policie të plagosur.
Disa prej rasteve kanë qenë veçanërisht të rënda. Një protestues i ri humbi njërën dorë pas shpërthimit të një granate trullosëse të përdorur nga policia, ndërsa dy të tjerë pësuan dëmtime të rënda: njëri humbi shikimin në njërin sy, kurse një tjetër humbi disa dhëmbë pasi u godit nga një bombolë gazi lotsjellës e qëlluar nga afër.
Pas incidentit me granatën trullosëse, qeveria ndaloi përdorimin e këtyre mjeteve gjatë protestave. Organizatat për të drejtat e njeriut dhe studentët kanë akuzuar policinë për përdorim të tepruar të forcës.
Qeveria premton mësues zëvendësues, por protestat vijojnë
Ministri francez i Arsimit, Édouard Geffray, deklaroi se në shkollat me mungesat më të rënda të personelit po angazhohen 3.000 mësues zëvendësues.
Sipas tij, rreth 200 nga 3.700 shkollat e mesme të vendit pritej të mbylleshin plotësisht të martën. Megjithatë, mediat franceze raportojnë se në shumë shkolla të tjera janë anuluar ose ndërprerë të paktën disa orë mësimi, ndërsa disa institucione kanë kaluar pjesërisht ose plotësisht në mësimin online.
Autoritetet kishin shpresuar se protestat do të dobësoheshin gjatë pushimeve shkollore dyjavore, që nisin këtë fundjavë. Megjithatë, mobilizimi i vazhdueshëm dhe përfshirja e studentëve universitarë tregojnë se pakënaqësia mbetet e lartë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje të hënën për përmbajtje, duke deklaruar se problemet kërkojnë kohë, konsultime, diskutim dhe respekt.
Protestat marrin edhe dimension politik
Kriza në arsim po zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale që do të pasojnë mandatin e Macronit.
Politikanët e krahëve të ndryshëm po përpiqen të shfrytëzojnë pakënaqësinë për të mbështetur qëndrimet e tyre. Marine Le Pen, e së djathtës ekstreme, ka vënë në dukje dëmtimet e shkollave dhe ka propozuar që kostot e riparimeve të mbulohen nga prindërit. Ndërsa Jean-Luc Mélenchon, përfaqësues i së majtës radikale, ka përshëndetur protestuesit dhe ka dënuar dhunën policore.
Përtej përplasjes politike, kërkesat e nxënësve përqendrohen te financimi i arsimit, mungesa e personelit dhe gjendja fizike e shkollave.


