Përmbysje në votat shqiptare në Bërvenicë: AKI rritet për 88%, VLEN bie për 24%

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka shënuar rritjen më të madhe të numrit të votave në zgjedhjet e 18 tetorit në Komunën e Bërvenicës, ndërsa koalicioni VLEN dhe VMRO-DPMNE kanë regjistruar rënie krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, sipas një krahasimi të rezultateve zgjedhore, përcjell kdp.

Të dhënat preliminare, të raportuara nga Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), tregojnë se kandidati i mbështetur nga VMRO-DPMNE ka marrë 2.943 vota, kundrejt 3.388 votave që kishte marrë kandidati i këtij subjekti në raundin e parë të vitit 2025. Kjo paraqet një rënie prej 445 votash, ose 13,13 për qind.

Ndryshimi më i madh pozitiv është regjistruar te AKI, kandidati i së cilës ka marrë 2.152 vota, krahasuar me 1.147 vota në vitin 2025. Diferenca është 1.005 vota, që përfaqëson një rritje prej 87,62 për qind.

Ndërkaq, kandidati i VLEN-it ka marrë 1.528 vota, kundrejt 2.021 votave në raundin e parë të zgjedhjeve të mëparshme. Kjo paraqet një rënie prej 493 votash, ose 24,39 për qind.

Rritje ka regjistruar edhe LSDM-ja, nga 481 vota në vitin 2025 në 706 vota më 18 tetor, përkatësisht 225 vota më shumë, ose 46,78 për qind.

AKI rrit mbështetjen, VLEN regjistron rënie

Krahasimi tregon se AKI ka regjistruar rritjen më të madhe, si në numër absolut votash, ashtu edhe në përqindje, ndërmjet katër subjekteve të përfshira në analizë.

Në vitin 2025, kandidati i mbështetur nga AKI kishte marrë 1.147 vota, ndërsa në zgjedhjet e fundit numri është rritur në 2.152.

Në anën tjetër, VLEN ka humbur pothuajse një të katërtën e votave që kishte siguruar në raundin e parë të vitit 2025.