Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka thënë se ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të zbatohen plotësisht.
Ai ka thënë se ligjet që miraton Kuvendi nuk janë rekomandime dhe as çështje vullneti: ato janë detyrim dhe duhet të zbatohen.
“Tani është koha që të gjithë, institucionet dhe qytetarët, t’i qëndrojmë fuqishëm prapa çdo neni të këtij ligji dhe të kërkojmë zbatimin e tij të plotë, pa përjashtime dhe pa ekuivokë … Prandaj, nuk ka vend as për hezitim, as për tërheqje dhe as për dyshime. Kushdo që sot mendon se ky ligj mund të shpërfillet, me kohë do të bindet për të kundërtën. Ky ligj është miratuar dhe ne do të qëndrojmë deri në fund për zbatimin e tij të plotë. Kosova duhet të veprojë si shtet sovran, dhe do të veprojë si i tillë”, ka shkruar Tahiri në një status në Facebook.
Dy ditë më parë Bashkimi Evropian ka shprehur edhe “shqetësim të thellë” për miratimin e Ligjit për kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, të cilin e sheh të jetë “në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës”.
Një zëdhënës i BE-së i ka thënë KOHËS se ky veprim bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
“Përderisa BE-ja është në dispozicion për të vazhduar mbështetjen për Kosovën, partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta. Në të njëjtën kohë, ne shprehim shqetësim të thellë për miratimin e Ligjit nga Asambleja e Kosovës, duke amendamentuar dhe plotësuar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara, që është në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës drejt BE-së”, thuhet në përgjigje. “BE-ja ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, që vepron brenda sistemit juridik të Kosovës dhe që është i përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës. Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht. Dhomat e Specializuara të Kosovës po japin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”.
Tutje në përgjigje thuhet se partneriteti mes Kosovës dhe BE-së nuk nënkupton vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta. BE-ja tutje i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve ndërkombëtare duke garantuar pavarësinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës. “I bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe përkushtimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigje.
Ndryshimet e ligjit të Speciales, të sponsorizuara nga PDK-ja parashohin kufizim të mandatit të Speciales dhe bartje në Kosovë të shkallës së tretë të gjykimit në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të dënuar nga shkalla e parë me 81 vjet burgim në total.
Të martën, pak para se të përfundonte afati për zgjedhjen e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës janë marrë vesh për votimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Në Kosovë ka pasur protesta të dhunshme të martën, pasi kërkohej votimi në lexim të dytë i këtij projektligji.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi për krime lufte me nga 25 vjet burgim ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, 18 vjet Kadri Veselin dhe 13 vjet Rexhep Selimin. Që prej atëherë në Kosovë ka pasur protesta në vazhdimësi, por edhe në vende të tjera ku jetojnë shqiptarë.
Për datën 10 tetor është paralajmëruar protestë edhe në Bruksel.


