Pas protestave në Shqipëri, Thaçi: Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i presin ditë të këqija

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka komentuar sot në Tetovë protestat në Shqipëri, duke shprehur shqetësimin se zhvillimet e fundit politike në rajon mund të sjellin pasoja të rënda për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Thaçi i cilësoi zhvillimet në Shqipëri si të dhimbshme, ndërsa foli edhe për situatën në Kosovë pas shqiptimit të dënimeve ndaj krerëve të UÇK-së.

“Është brengosëse. Nuk dua t’i shqetësoj njerëzit, por mendoj se, pas kësaj situate të llahtarshme në Shqipëri, pas një gjendjeje të dhimbshme për ne, ndonëse të drejtë për shqiptarët që jetojnë atje, si dhe pas shqiptimit të dënimeve ndaj krerëve të UÇK-së, kemi një gjendje shumë të rëndë edhe për Kosovën”, u shpreh Thaçi, përcjell TS.

Ai paralajmëroi se, bazuar në përvojën e tij politike, presionet ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut mund të shtohen, pavarësisht nëse partitë maqedonase janë në pushtet apo në opozitë.

“Duke u nisur nga përvoja që kam me apetitet e Serbisë dhe të maqedonasve, pa marrë parasysh nëse janë në qeveri apo në opozitë, në raport me përpjekjet për t’i shtypur shqiptarët e Maqedonisë, mendoj se këto tendenca do të rriten shumë. Prandaj, dua ta them troç dhe shkurt: shqiptarët e Maqedonisë i presin ditë të këqija e të trazuara”, deklaroi Menduh Thaçi sot në Tetovë.