Paketa e re e zgjerimit të BE, reagon kryeministria: Dokumenti konsolidon pozicionin e Shqipërisë si vend lider në këtë proces

Kryeministria ka reaguar pas shpalosjes së paketës së re të zgjerimit ku paraqitet rishqyrtimi i politikave para procesit.

Sipas njoftimit të MIA (Agjencia për Media dhe Informim) theksohet se dokumenti i fundit i publikuar nga Komisioni Evropian konsolidon pozicionin e Shqipërisë si një ndër vendet udhëheqëse në procesin e zgjerimit.

Njoftimi i plotë:

Komisioni Europian ka zyrtarizuar sot “Rishikimet e Politikave përpara Zgjerimit”, duke përcaktuar kuadrin e reformave të brendshme institucionale, të qeverisjes dhe të mekanizmave mbrojtës që do të shoqërojnë valën e ardhshme të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Ky dokument strategjik vjen pas vizitës së fundit të Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në Tiranë dhe konsolidon pozicionin e Shqipërisë si një ndër vendet udhëheqëse në procesin e zgjerimit.

Dokumenti konfirmon se reformat e brendshme të BE-së dhe përparimi i vendeve kandidate do të ecin paralelisht, duke parashikuar përfshirjen e një udhërrëfyesi specifik për anëtarësimin e Shqipërisë në Paketën e Zgjerimit të vitit 2026.

Rishikimi gjithëpërfshirës thekson se politikat ekzistuese të Bashkimit Europian nuk kërkojnë një rikonceptim të plotë strukturor për të përfshirë anëtarët e rinj.

BE-ja po zbaton parimin e “Integrimit përmes Projektimit”, duke përfshirë skenarët e zgjerimit që në fazën e hartimit të politikave të ardhshme dhe të Kuadrit Financiar Shumëvjeçar (MFF) 2028–2034.

Kjo qasje synon të ruajë aftësinë e Unionit për të vepruar dhe të forcojë rolin e zgjerimit në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit europian.

Në fokus të dokumentit janë tre elemente kryesore reformuese:

Së pari, rishikimi i mekanizmit të Nenit 7 për shkeljet shumë të rënda të shtetit të së drejtës. Në vend të pragut aktual prej katër të pestave të anëtarëve për pezullimin e së drejtës së votës në Këshill, Komisioni Europian propozon zbatimin e një “shumice të cilësuar të kundërt” (Reverse QMV). Sipas këtij mekanizmi, vendimi i Komisionit për vendosjen e sanksioneve do të hynte në fuqi automatikisht, përveç rasteve kur shtetet anëtare formojnë shumicën e nevojshme për ta rrëzuar. Synimi është që mbrojtja e vlerave europiane të bëhet më efikase dhe mekanizmi më i lehtë për t’u zbatuar.

Së dyti, vendosja e garancive të rrepta financiare. Dokumenti propozon ngrirjen ose kufizimin e fondeve të reja të Unionit në rastet kur një vend anëtar apo kandidat shkel angazhimet e ndërmarra ose nuk respekton parimet e shtetit të së drejtës.

Së treti, përcaktimi i rregullave për të drejtat e anëtarëve të rinj. Vendet që anëtarësohen do të gëzojnë të drejta plotësisht të barabarta me 27 anëtarët aktualë, përfshirë të drejtën për të pasur një komisioner dhe të drejtën e vetos në vendimmarrje.

Parashikohet, megjithatë, mundësia që anëtarët e rinj të angazhohen vullnetarisht për të mos e përdorur veton për çështje që lidhen me mosmarrëveshjet dypalëshe në kontekstin e zgjerimit, duke parandaluar bllokimin e procesit për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve.

Kuadri i ri mbështet gjithashtu modelin e “Integrimit Gradual”, të bazuar në meritë, i cili i mundëson Shqipërisë qasje progresive në sektorë dhe programe kyçe të BE-së përpara anëtarësimit të plotë. Ky model parashikon integrim të përshpejtuar në fusha si siguria kibernetike, mobiliteti ushtarak, Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA) dhe rrjetet trans-europiane të energjisë, duke sjellë përfitime të prekshme ekonomike dhe infrastrukturore.

Dokumenti i Komisionit Europian e vlerëson mbështetjen strategjike për zgjerimin si një investim me përfitime në raport me kostot për qytetarët e BE-së. Ai thekson se afrimi i vendeve që kanë përparuar më shumë në proces, si Mali i Zi dhe Shqipëria, do të kontribuojë në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit përmes zgjerimit të tregut dhe të hapësirës europiane.

Ky rishikim i politikave përbën një sinjal të fortë politik të mbështetjes së Bashkimit Europian për përparimin e Shqipërisë drejt objektivit strategjik “Shqipëria 2030”.

Reformat dhe konsensusi kombëtar mbeten thelbësorë për anëtarësimin në familjen europiane.

Shqipëria është plotësisht e vendosur të vijojë punën me të njëjtin vullnet dhe angazhim për përmbushjen e të gjitha kritereve dhe realizimin e misionit historik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.