Michael Olise është padyshim futbollisti që mund të ndryshojë merkaton e transferimeve në vitet e ardhshme. Futbollisti i Bayernit të Mynihut është në orbitën e klubeve të mëdhenj të Evropës mes tyre edhe të Realit të Madridit.
Duke parë rendimentin dhe interesin e shfaqur nga klubet e tjerë, Bayerni kërkon të bëjë gjithçka për ta blinduar, madje është gati ta shndërrojë atë në futbollistin më të paguar të skuadrës dhe t’i rrisë ndjeshëm pagën nga 14 milionë në mbi 25 milionë euro.
Në Gjermani nuk ka klauzola për zgjidhjen e kontratave, përveç rasteve kur ato specifikohen në to, dhe kjo është saktësisht ajo që dëshirojnë Olise dhe agjenti i tij. Kohët e fundit janë bërë rinovime kontratash me klauzolë në disa ekipe të Bundesligës siç është rasti i Gvardiol dhe Dani Olmos me Leipzig. Ndërsa në raste të tjera si ai i Haaland, u firmos direkt kontrata e parë duke përfshirë një shifër për të lejuar largimin nga skuadra.
Bayerni ishte më ngurrues, por me Kane e Musiala në fillim dhe tani me Olise, është i detyruar të bëjë diçka të tillë. Pjesa e vështirë është përcaktimi i një çmimi për të me Bayernin që dëshiron që të jetë 200 milionë euro, kurse Olise dëshiron një çmim shumë më të ulët, gjë që tregon se francezi e mendon një të ardhme larg kampionëve të Gjermanisë.


