Njihuni me planetin alien ‘feniks’, lindi nga hiri i një ylli që po vdiste

Në mitologjinë e lashtë, feniksi ishte një zog i mrekullueshëm me një cikël të përhershëm jete dhe vdekjeje, që digjej në flakë vetëm për t’u ringjallur nga hiri i vet. Astronomët tani kanë zbuluar një botë që me të drejtë mund të quhet një “planet feniks”.

Studiuesit thanë se ky ekzoplanet, siç quhen planetët jashtë sistemit tonë diellor, duket se është formuar nga materiali i hedhur në hapësirë gjatë fazës së fundit të jetës së një ylli pak më të madh se Dielli. Tani ai orbiton rreth mbetjes shumë kompakte të atij ylli, të njohur si një xhuxh i bardhë.

Ai klasifikohet si një planet i gjeneratës së dytë, që do të thotë se nuk është formuar nga disku rrotullues i materialit që rrethon një yll të sapolindur, si Toka dhe planetët e tjerë të gjeneratës së parë, por nga mbetjet e një ylli që po vdiste.

“Ky është shembulli i parë i një planeti që formohet rreth një xhuxhi të bardhë”, tha Jamie Williams, doktorant në astrofizikë në Universitetin e Warwick-ut në Angli dhe autori kryesor i studimit të publikuar këtë javë në revistën Nature Astronomy.

Xhuxhi i bardhë ndodhet rreth 250 vite-dritë larg Tokës, pranë yjësisë së Cetusit. Një vit-dritë është distanca që përshkon drita gjatë një viti, rreth 9.5 trilionë kilometra.

Planeti është një gjigant gazi, ndoshta pak më masiv se Jupiteri, planeti më i madh i sistemit tonë diellor. Ai rrotullohet rreth xhuxhit të bardhë çdo 4.4 ditë dhe ndodhet në një distancë që përbën vetëm 4% të largësisë mes Tokës dhe Diellit. Është aq afër sa rrezatimi ekstrem ultravjollcë i xhuxhit të bardhë, tepër të nxehtë, po bën që atmosfera e jashtme e planetit të avullojë, ndërsa një pjesë e saj bie më pas mbi vetë xhuxhin e bardhë.

Përbërja kimike e planetit tregon origjinën e tij si planet i gjeneratës së dytë. Ai është i pasur me niobium, bakër dhe zink, elemente që disa yje në fund të jetës së tyre i hedhin në hapësirë kur zgjerohen. Kjo tregon se planeti u formua nga një disk materiali të nxjerrë nga ylli gjatë procesit të vdekjes së tij. /Reuters/