Për gati dy vjet mbushën rrugët. Të dielën, e kthyen protestën në votë dhe votën në një humbje për pushtetin e Aleksandar Vuçiçit. Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare nxori mijëra qytetarë në festë në Beograd dhe qytete të tjera, ndërsa në rajon hapi menjëherë një debat tjetër: çfarë ndryshon kur një pushtet që dukej i paprekshëm humb në kutitë e votimit?
Për gati dy vjet kërkuan ndryshim në rrugë. Të dielën, e siguruan në kutitë e votimit. Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi dhe pranimi i humbjes nga AleksandarVuçiçi shkaktuan festime në Beograd, por jehona politike kaloi menjëherë kufijtë: në Shkup u hap debati për pushtetin dhe ndryshimin, ndërsa për shqiptarët e Luginës dhe Kosovën vëmendja u përqendrua te politikat që do të ndjekë qeveria e ardhshme. Vuçiçi e pranoi humbjen të dielën në mbrëmje, duke deklaruar se, sipas vlerësimeve paraprake, Lista Studentore do të siguronte ndërmjet 135 dhe 140 mandateve parlamentare. Një rezultat i tillë do t’i mundësonte formimin e qeverisë pa partner koalicioni, ndërsa rezultatet zyrtare ende nuk ishin përfundimtare.
Rrugët qendrore të Beogradit dhe të qyteteve të tjera u mbushën me mbështetës që festuan me këngë, brohoritje dhe valle. Pas një periudhe të gjatë mobilizimi, lëvizja studentore arriti ta shndërronte pakënaqësinë në një alternativë zgjedhore fituese.Bartësi i Listës Studentore, Ilija Srdanoviç, e orientoi mesazhin e parë drejt përgjegjësive që e presin shumicën e re.“Do të ndërtojmë një Serbi më të mirë për të mirën e qytetarëve tanë, për marrëdhënie më të mira me fqinjët dhe me të gjithë bashkësinë ndërkombëtare”, deklaroi ai.
Fitorja i jep Listës Studentore hapësirë të konsiderueshme veprimi, por njëkohësisht e vendos përballë pritjeve të larta. Bashkimi që funksionoi gjatë protestave tani duhet të dëshmojë se mund të prodhojë vendime, reforma dhe qeverisje funksionale. Çështjet që gjatë mobilizimit mund të liheshin të hapura, për të ruajtur mbështetjen e grupeve me bindje të ndryshme, do të kërkojnë qëndrime konkrete.
TË DREJTAT E SHQIPTARËVE TË JENË PËRPARËSI
Në reagimin e saj, VLEN e përshëndeti ndryshimin politik në Serbi dhe fitoren e Listës Studentore, ndërsa uroi Koalicionin Shqiptar për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare. “Ky sukses dëshmon se shqiptarët arrijnë më shumë kur bashkohen rreth interesit të përbashkët”, thuhet në kumtesën e VLEN-it. Nga partia shqiptare në pushtet, kërkojnë formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re dhe një qasje tjetër ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në qendër të pritjeve të tij janë respektimi i të drejtave dhe ndalimi i praktikave që VLEN i cilëson si diskriminuese.“Presim që qeveria e re të formohet sa më shpejt, të respektojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës dhe t’i japë fund diskriminimit sistematik, përfshirë pasivizimin e adresave”, thekson VLEN.
Në kumtesë shtohet se, me kalimin e Vuçiçit në opozitë, duhet të përfundojë ajo që subjekti e përshkruan si praktikë të represionit shtetëror ndaj shqiptarëve të Luginës.VLEN pret gjithashtu që ndryshimi në Beograd të përmirësojë marrëdhëniet ndërmjet vendeve të rajonit dhe të forcojë bashkëpunimin në kuadër të Procesit të Berlinit, në funksion të integrimit evropian. Një pjesë të veçantë të reagimit ia kushton marrëdhënieve me Kosovën, duke kërkuar dialog mbi bazën e barazisë mes dy shteteve. “Shpresojmë që qeveria e re e Serbisë të gjejë forcën dhe vullnetin politik për dialog e bashkëpunim me Republikën e Kosovës. Një dialog mes të barabartëve, që duhet të kulmojë me njohjen reciproke mes dy shteteve të pavarura”, thuhet në kumtesë.
NË MAQEDONI FITOI VUÇIQI
Rezultati në Serbi nxiti reagime edhe nga drejtues të tjerë politikë në Maqedoninë e Veriut. Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova e përshëndeti përmes një postimi në rrjetin social “X”.“Urime për rezultatin e zgjedhjeve të sotme në Serbi! Qytetarët serbë treguan pjekuri demokratike përmes transferimit paqësor të pushtetit politik”, shkroi ajo. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e cilësoi rezultatin si një “fitore të madhe, historike” të qytetarëve të Serbisë dhe e lidhi drejtpërdrejt me përballjen politike në vend. “Ra Orbani. Ra Vuçiçi. Të gjithë e dimë kush është i radhës”, deklaroi Filipçe në Facebook. Ai shprehu pritjen që Serbia dhe Maqedonia e Veriut të ndërtojnë marrëdhënie sa më të mira, të mbështetura në respekt dhe bashkëpunim. Ndërkohë, qytetarëve në vend u përcolli mesazhin se i pret një betejë e vështirë politike, duke drejtuar akuza ndaj pushtetit aktual.
Kryetarja e PLD-së, Monika Zajkova, e përqendroi reagimin te llogaridhënia, sundimi i ligjit dhe respektimi i vullnetit qytetar. “Asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i qytetarëve”, shkroi ajo, duke shtuar se demokracia nuk është pronë e askujt dhe institucionet nuk duhet të mbeten peng i fuqisë politike. “Pushteti duhet të përgjigjet para qytetarëve, jo qytetarët të kenë frikë nga pushteti”, theksoi Zajkova.
Nënkryetari i BDI-së dhe ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, e interpretoi rezultatin edhe nga këndvështrimi gjeopolitik. “Së pari Orbani, tani Vuçiçi. Kremlini papritur humbi dy prej aleatëve të tij kryesorë në Evropë”, shkroi Osmani. Reagimin e përfundoi me një koment ironik: “P.S. Vuçiçi fitoi në Maqedoninë e Veriut”. Sipas materialeve të raportuara, në Maqedoninë e Veriut ishin regjistruar 1.438 shtetas serbë për të votuar në Ambasadën në Shkup dhe në Konsullatën e Nderit në Kumanovë. Informacionet jozyrtare sugjeronin se shumica kishin mbështetur listën e udhëhequr nga Vuçiçi.
PRITJET PËR DIALOGUN DHE TË ARDHMEN E LISTËS SERBE
Për Kosovën, ndryshimi në Beograd hap mundësi për një qasje tjetër në dialog, por nuk garanton ndryshim të menjëhershëm të qëndrimeve të Serbisë.
Një shumicë e dalë nga një lëvizje e gjerë protestuese do të përballet edhe me nevojën për të ruajtur kohezionin e brendshëm dhe me presionin e opozitës. Në këtë kuptim, deklaratat për marrëdhënie më të mira me fqinjët do të marrin peshë përmes hapave konkretë.Ndryshimi mund të ndikojë edhe te Lista Serbe në Kosovë, e cila e ka lidhur ngushtë veprimtarinë e saj politike me mbështetjen e pushtetit të Vuçiçit. Nëse autoritetet e reja në Beograd e zgjerojnë komunikimin institucional përtej një subjekti të vetëm, mund të krijohet hapësirë më e madhe për përfaqësues të tjerë të serbëve të Kosovës. Megjithatë, një dobësim i Listës Serbe nuk mund të konsiderohet i paracaktuar.
Ai do të varet nga politikat e Beogradit, nga sjellja e strukturave ekzistuese dhe nga besimi që alternativat do të arrijnë të ndërtojnë te qytetarët. Zgjedhjet e së dielës e ndryshuan raportin e forcave në Serbi. Nëse do të ndryshojnë edhe mënyrën e qeverisjes dhe marrëdhëniet me fqinjët, kjo do të jetë prova e parë e madhe e fituesve.
PËR SERBINË, MUND TË NIS NJË KAPITULL I RI
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka reaguar pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Serbi.Ajo ka përgëzuar Listën e Studentëve për fitoren e tyre karshi ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili qëndroi në pushtet për 14 vjet.
“Të dashur qytetarë të Serbisë, ju e bëtë zërin tuaj të dëgjohet! Pas gati dy vitesh protestash për demokracinë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, qytetarët e Serbisë dolën në numër historikisht të lartë. Urime Listës së Studentëve për fitoren tuaj”, shkroi ajo në platformën sociale X. Në vlerësimin e saj, pas kësaj fitoreje, për Serbinë mund të nis një kapitull i ri.“Dera e BE-së është e hapur dhe ne jemi të gatshëm të ecim përpara së bashku”.


