Policia e Malit të Zi dhe Agjencia për Siguri Kombëtare (ANB) e këtij shteti zhvilluan një aksion në Risan, të premten në mëngjes, gjatë të cilit u arrestuan pesë persona që dyshohet se janë të lidhur me rrjetin rus Rybar, raportuan disa media malazeze, duke iu referuar burimeve të sigurisë.
Sipas gazetës Pobjeda, mes të arrestuarve janë Mikhail dhe Valeria Zvinchuk, të cilët cilësohen si drejtuesit e rrjetit, si dhe tre bashkëpunëtorë të tyre.
Deri më tani, Drejtoria e Policisë, ANB-ja dhe prokuroria kompetente nuk i janë përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me aksionin.
Priten më shumë detaje pas një njoftimi zyrtar nga institucionet malazeze.
Rybar është një rrjet mediatik dhe informativ rus, i themeluar në vitin 2018 nga Mikhail Zvinchuk, ish-punonjës i shërbimit për media të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
Gjatë luftës në Ukrainë, Rybar u bë një nga kanalet më me ndikim ushtarake proruse në Telegram.
Zvinchuk është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2023, për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe përhapjes së propagandës.
Bashkimi Evropian thotë se ai është anëtar i një grupi pune të formuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të koordinuar përpjekjet e mobilizimit në lidhje me luftën kundër Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë lidhur Rybar-in me operacionet e ndikimit të huaj dhe luftën informative.
Në vitin 2024, Departamenti amerikan i Shtetit, përmes programit Rewards for Justice, ofroi një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione mbi personat e lidhur me projektin Rybar, duke përmendur dyshimet se rrjeti kishte marrë pjesë në operacione të ndikimit të huaj.
Vitet e fundit, rrjeti i ka zgjeruar aktivitetet edhe në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.




