Në këtë qytet të Ballkanit çdo banesë e gjashtë është bosh, shqyrtohet rritja e tatimit mbi pronën

Zagrebi mund të rrisë tatimin mbi pronën e paluajtshme me 60 për qind, nga pesë eurot aktuale në tetë euro për metër katror në vit, që është edhe norma më e lartë e lejuar me ligj. Propozimi pritet të shqyrtohet nga Kuvendi i Qytetit më 16 tetor, raportojnë mediat kroate.

Nëse miratohet, pronari i një prone të tatueshme prej 60 metrash katrorë do të paguante 480 euro në vit, krahasuar me 300 euro që paguan aktualisht, ose 180 euro më shumë. Për një banesë prej 80 metrash katrorë, detyrimi vjetor do të rritej nga 400 në 640 euro, ndërsa për 100 metra katrorë nga 500 në 800 euro.

 

Megjithatë, rritja e tatimit nuk do të vlejë për të gjithë pronarët. Tatimi mbi pronën nuk paguhet për banesat apo shtëpitë që përdoren për banim të përhershëm, si dhe për pronat që jepen me qira afatgjatë.

 

Sipas ligjit, një pronë konsiderohet e dhënë me qira afatgjatë nëse jepet me kontratë qiraje për të paktën dhjetë muaj gjatë një periudhe tatimore.

 

Norma e re e propozuar në Zagreb do të prekte kryesisht pronat bosh dhe banesat apo shtëpitë që përdoren për qira afatshkurtër.

 

Kryetari i Zagrebit, Tomislav Tomašević, ka deklaruar më herët se qëllimi i rritjes së tatimit është të nxiten pronarët e banesave të pashfrytëzuara t’i ofrojnë ato në tregun e qirasë afatgjatë.

 

Zëvendëskryetari i qytetit, Luka Korlaet, ka bërë të ditur për HRT se, bazuar në të dhënat për konsumin e energjisë elektrike, rreth 55.000 banesa në Zagreb konsiderohen të zbrazëta.

 

Duke pasur parasysh se Zagrebi ka afërsisht 350.000 banesa, kjo do të thotë se gati çdo e gjashta banesë është bosh.

 

Në të njëjtën kohë, autoritetet e qytetit vlerësojnë se mungesa e banesave për strehim arrin në rreth 38.000 njësi banimi dhe presin që barra më e lartë tatimore të motivojë të paktën një pjesë të pronarëve që t’i nxjerrin pronat e tyre në tregun e qirasë afatgjatë.

 

Megjithatë, Lana Mihaljinac Knezheviq, kryetare e grupit profesional të ndërmjetësuesve të pasurive të paluajtshme në Odën Ekonomike Kroate, paralajmëron se të dhënat për banesat bosh nuk tregojnë sa prej tyre janë realisht të përshtatshme për banim dhe dhënie me qira.