Modelja Sahara Ray, e njohur për lidhjen me Justin Bieber, ndërron jetë në moshën 34-vjeçare

Sahara Ray, modelja dhe stilistja australiane e rrobave të banjës, e cila dikur tërhoqi vëmendjen e mediave për lidhjen e përfolur me këngëtarin Justin Bieber, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare.

“Sahara ndërroi jetë mbrëmjen e kaluar në spital, e rrethuar nga familjarët e saj. Ajo ishte shumë e dashur”, njoftoi familja e saj për median amerikane TMZ.

Sahara Ray ishte vajza e legjendarit australian të sërfit, Tony Ray. Ajo kaloi një pjesë të madhe të fëmijërisë duke udhëtuar mes Australisë, Kalifornisë dhe Havait.

Modelja lë pas vajzën e saj, Snow, e cila lindi në janar të vitit 2026. Në postimin e fundit në Instagram, Sahara publikoi disa fotografi të vogëlushes, të shoqëruara me një mesazh të ndjerë, ku shprehte dashurinë dhe lidhjen e veçantë mes tyre.

Deri tani nuk janë bërë të ditura rrethanat e sakta të vdekjes së saj, duke lënë ende pikëpyetje mbi atë që i ndodhi modeles pas një periudhe të karakterizuar nga probleme të shumta shëndetësore.

Në vitin 2024, Sahara kishte folur hapur për betejën e saj me sindromën Guillain-Barré, një çrregullim i rrallë neurologjik, i cili e la pjesërisht të paralizuar pas një aksidenti të rëndë automobilistik.

Image

Në vitin 2016 u përfol për një lidhje me Justin Bieber

Sahara Ray u bë e njohur falë karrierës së saj si modele dhe pranisë së madhe në rrjetet sociale, ku arriti të grumbullonte një numër të konsiderueshëm ndjekësish në Instagram.

Paralelisht me karrierën e modelingut, ajo krijoi edhe markën e saj të rrobave të banjës, Sahara Ray Swim.

Në vitin 2016, modelja përfundoi në qendër të vëmendjes së medieve pasi u fotografua gjatë pushimeve në Havai në shoqërinë e Justin Bieber. Pamjet nxitën spekulimet për një lidhje romantike mes tyre.

Përpara kësaj, Sahara Ray ishte përfolur gjithashtu për një marrëdhënie me këngëtarin australian Cody Simpson.