Mishi nga Brazili përmes Kosovës në Shqipëri, alarmi për sigurinë ushqimore

Importet e mishit përmes vendeve të treta, diferencat e pazakonta në çmime dhe mospërputhjet e mundshme në sasitë e deklaruara kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë ushqimore dhe konkurrencën në tregun shqiptar.

I ftuar në emisionin “Alert” në News24, Alban Zusi, drejtor ekzekutiv i Albanian Food Industry (AFI), kërkoi që autoritetet të verifikojnë origjinën, gjurmueshmërinë dhe mënyrën e hyrjes në Shqipëri të produkteve të mishit që kalojnë përmes Kosovës.

 

Sipas Zusit, shqetësimi nuk lidhet domosdoshmërisht me faktin që një produkt ka origjinë nga Brazili, por me mundësinë që ai të qarkullojë përmes kanaleve që nuk janë të gjurmueshme.

“Fenomeni është i njohur për të futur në BE produkte nga vende që nuk janë të lejuara, por i fusin nga vende të treta. Marrim mish derri me origjinë nga Brazili, përmes një vendi me shumicë myslimane si Kosova dhe kjo lë vend për të hetuar. Mund të kemi problematika në sigurinë ushqimore” tha Zusi.

 

Ai theksoi se një produkt i importuar nga Brazili nuk mund të konsiderohet automatikisht i pasigurt, por problem mbetet mënyra se si ai mund të kalojë nga një vend në tjetrin dhe nëse ruhet gjurmueshmëria gjatë gjithë zinxhirit.

 

“Jo gjithmonë mund të themi që mishi nga Brazili është i pasigurt. Shqetësimi është se edhe kur produkti kalon përmes kanaleve joformale, ky është problem i madh” u shpreh ai.

 

Një tjetër pikë shqetësimi lidhet me çmimet. Sipas Zusit, prodhues dhe importues vendas kanë ngritur pretendime se disa produkte që hyjnë nga Kosova shiten në Shqipëri me çmime më të ulëta se ato që merren nga kostot e importit.