Ministri Ferati vizitoi UNT-në, me rektorin Fetaji diskutuan zhvillimin e arsimit të lartë

Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka realizuar vizitë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup ku është pritur nga rektori, Bekim Fetaji së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë takimit, rektori Fetaji i shoqëruar nga prorektori për Arsim, Fati Iseni, si dhe Prof. Inor. Dr Murat Aliu e njoftoi ministrin Ferati për zhvillimet aktuale në universitet, projektet infrastrukturore, sfidat me të cilat përballet institucioni, si dhe proceset që synojnë avancimin e arsimit të lartë dhe përmirësimin e kushteve akademike.

Në fokus të bashkëbisedimit ka qenë rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe universiteteve, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për studentët, mbështetjen e zhvillimit akademik dhe forcimin e rolit të institucioneve të arsimit të lartë në zhvillimin shoqëror.

Ministri Ferati theksoi rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm me institucionet akademike dhe të trajtimit të çështjeve që lidhen me zhvillimin e arsimit, krijimin e mundësive të reja për të rinjtë dhe ndërtimin e perspektivave më të mira për gjeneratat e ardhshme.

Në kuadër të vizitës, ministri Ferati mori pjesë edhe në panelin e diskutimit me temë “Marrëveshja e Ohrit dhe brezi që nuk pret: 25 vjet që lamë pas, 25 vjet që kemi përpara”, ku u diskutuan zhvillimet përgjatë 25 viteve nga Marrëveshja e Ohrit, rëndësia e saj për marrëdhëniet ndëretnike dhe perspektivat e gjeneratave të reja në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.