Milani dhe Interi ndezin natën e madhe të futbollit, 77 mijë tifozë dhe një qytet në ethe

San Siro pritet të presë 77 mijë tifozë në përballjen e 240-të historike mes Milanit dhe Interit

Kuqezinjtë synojnë të barazojnë një rekord të epokës Ancelotti, ndërsa zikaltërit kërkojnë t’i japin fund serisë negative. Formacionet, statistikat dhe emocionet para supersfidës.

Numërimi mbrapsht ka nisur. Gjithnjë e më pak orë na ndajnë nga vërshëllima e parë e derbit të Milanos, përballja e parë zyrtare mes Milanit dhe Interit për këtë sezon. Kuqezinjtë kanë fituar tri nga katër përballjet e fundit në Serie A dhe synojnë të barazojnë një rekord të arritur gjatë periudhës së Carlo Ancelottit, mes viteve 2002 dhe 2004: tri fitore radhazi në derbi.

Nga ana tjetër, Interi kërkon t’i japë fund një serie prej shtatë ndeshjesh pa fitore, por edhe të vazhdojë traditën e shënimit të golave. Zikaltërit kanë gjetur rrugën e rrjetës në 19 ndeshjet e fundit të kampionatit. Hera e fundit që nuk shënuan ishte pikërisht në derbin e sezonit të kaluar.

Interi ndez atmosferën: “Edhe në transfertë, Milano është shtëpia jonë”

Interi ka nisur të ngrohë atmosferën e derbit edhe në rrjetet sociale, duke publikuar një video promovuese për sfidën e mbrëmjes. “Derbi nuk ka transfertë. Dhe kjo duket qartë. Mjafton të ngresh sytë drejt flamujve zikaltër që valëviten në dritaret dhe ballkonet e qytetit. Edhe në transfertë, Milano është shtëpia jonë”, shkruan klubi zikaltër në mesazhin shoqërues të videos.

Derbi i 240-të, Interi kryeson bilancin historik

Përballja e kësaj mbrëmjeje në San Siro do të jetë derbi i 240-të i Madonninës në historinë e futbollit italian. Bilanci i përgjithshëm favorizon Interin, që numëron 87 fitore, kundrejt 83 të Milanit, ndërsa 69 takime janë mbyllur në barazim.

Edhe në golat e shënuar kryesojnë zikaltërit, me 328 realizime, kundrejt 317 të kuqezinjve.

Milan, homazhe për Kakán para supersfidës

Një mbrëmje e veçantë do të jetë edhe për Ricardo Kakán. Ish-ylli brazilian do të përfshihet në Hall of Fame të Milanit, përpara fillimit të derbit. Një vlerësim prestigjioz që e vendos emrin e tij në shoqërinë e legjendave të klubit, si Franco Baresi, Filippo Inzaghi, Andrij Shevchenko, Marco van Basten, Ruud Gullit dhe Carlo Ancelotti.

77 mijë tifozë në San Siro, derbi drejt një rekordi

Përballja e kësaj mbrëmjeje pritet të shënojë një tjetër rekord në tribunat e San Siros. Hapja e plotë e të dy kateve të tretë të stadiumit do të mundësojë praninë e rreth 77 mijë spektatorëve, shifra më e lartë e regjistruar në tetë vitet e fundit për këtë impiant.

Inter, Chivu pret rikthimin e Carlos Augustos

Në kampin zikaltër, trajneri Cristian Chivu nuk pritet të bëjë ndryshime në portë, ku Martinez do të konfirmohet titullar, pavarësisht paraqitjes së mirë të Provedel në Venecia. Dyshimi kryesor mbetet në repartin defensiv. Carlos Augusto, i cili ka kaluar një gjendje virale në aparatin tretës, pritet të jetë i gatshëm. Nëse rikuperohet, Bisseck rrezikon të humbasë vendin në formacion, ndërsa Bastoni mund të rikthehet në qendër të mbrojtjes.

Ekziston edhe mundësia që braziliani të aktivizohet më përpara, në vend të Dimarcos, i cili është stërvitur pak gjatë ditëve të fundit dhe nuk e ka të sigurt praninë nga minuta e parë. Në mesfushë, gara për një vend titullari duket se do të jetë mes Zielinskit dhe Mkhitaryan, ndërsa Barella dhe Calhanoglu pritet të rikthehen në formacion. Në sulm, Pio Esposito, i rikuperuar nga gripi, do të luajë përkrah të paprekshmit Marcus Thuram.

Milan, Amorim përforcon mesfushën, Hutchinson pritet në stol

Në kampin kuqezi, Ruben Amorim pritet të hedhë në fushë një formacion me disa zgjedhje të rëndësishme taktike. Nëse nuk ka probleme pas seancës së fundit të aktivizimit muskulor, Milani mund ta nisë me Maignan në portë; Gila, De Winter, Pavlovic dhe Diawara në mbrojtje; Musah, Modric dhe Rabiot në mesfushë; ndërsa Moreira, Ramos dhe Pulisic në repartin ofensiv.

Trajneri kuqezi duket se do të sakrifikojë Hutchinsonin për të forcuar mesfushën me Musah. Rabiot do të ketë më shumë liri për t’u afruar pranë sulmuesit Ramos, duke i dhënë skuadrës mundësinë të kalojë në një skemë klasike 4-2-3-1.