Me të vërtetë jam jashtëzakonisht i lumtur që ky objekt po e merr esencën e vet, po e merr destinimin e tij të vërtetë. E kjo është të jetë një shtëpi për fëmijët, të cilët këtu do të mund ta kalojnë fëmijërinë e tyre, le të themi kështu, ditët më të bukura të jetës së tyre.
Ne, si Qeveri, ashtu siç e dëgjuat tashmë edhe nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, ambasadorët e nderuar, në një të ardhme të afërt do të japim pëlqimin për punësimin e personelit dhe, në këtë mënyrë, e gjithë ajo që është investuar dhe ndërtuar do të vihet në funksion.
Dhe ajo që më bën veçanërisht të lumtur është se nuk do të kemi më listë pritjeje këtu në Komunën e Shuto Orizarit, përkatësisht kapacitetet do të jenë plotësisht të shfrytëzuara. Prindërit do të mund t’i lënë fëmijët këtu, ndërsa do të kemi personel që do të kujdeset për fëmijërinë e tyre dhe për periudhën gjatë ditës që ata do ta kalojnë pikërisht në këtë kopsht për fëmijë.
E shfrytëzoj këtë rast për t’i falënderuar ambasadorin e Norvegjisë dhe ambasadorin e Zvicrës për gjithçka që kanë bërë për këtë kopsht, në mënyrë që ne sot të mund të qëndrojmë këtu dhe, praktikisht, të njoftojmë se kapaciteti është i gatshëm t’i pranojë më të vegjlit dhe më të dashurit tanë, e ata janë fëmijët.
Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj Komunën e Shuto Orizarit, kryetarin e komunës, Këshillin, këshilltarët, si dhe kolegët nga Qeveria, të cilët punojnë me përkushtim që këto projekte të bëhen realitet.
Siç tha edhe ministri, qëllimi ynë është që deri në fund të mandatit të mos kemi fare listë pritjeje në të gjitha komunat e vendit. Nëse numri ishte 4.500 në fillim të mandatit të kësaj Qeverie, qëllimi është që në fund të mandatit të kësaj Qeverie të kemi zero fëmijë në listën e pritjes. Mendoj se këtë do ta realizojmë edhe më herët, por gjithçka varet nga dinamika e ndërtimit të objekteve.
Kështu që, edhe një herë, urime dhe qoftë me fat, dhe sa më shumë fëmijë të mund ta përdorin këtë kopsht. Edhe një herë, falënderime për të gjithë ata që morën pjesë në rikonstruimin dhe rinovimin e këtij objekti.