Deputet i shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Visar Memeti, ka bërë me dije se koalicioni shqiptar mund të jetë pjesë e qeverisë së re në Serbi.
Ai ka deklaruar se mund të ndodh, nëse gjen gjuhë të përbashkët me platformën e Listës Studentore, e cila doli e para në zgjedhjet e fundit.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Memeti është shprehur i kënaqur që koalicioni i shqiptarëve ka arritur të fitojë dy mandate në këto zgjedhje.
“Rezultati është i kënaqshëm, edhe pse në nënshkrimin e marrëveshjes javë më parë, synimi ynë ishte t’i sigurojmë tri ulëse në Parlamentin serb. Mirëpo, ishin disa faktorë që ndikuan, ku ndoshta njëri prej tyre ishte dalja rekorde e votuesve në këto zgjedhje në Serbi”, ka thënë Memeti.
Sipas tij, pjesëmarrja në qeveri është një mundësi që mund të shqyrtohet.
“Nëse gjejmë një gjuhë të përbashkët apo biem në dakordim me platformën që e kemi ne si Koalicion Shqiptar, pse jo të mos jemi pjesë e kësaj qeverie”, ka deklaruar Memeti.


