LSDM: Antifashizmi nuk është vetëm përkujtim, por detyrim për liri, drejtësi dhe jetë dinjitoze

Antifashizmi nuk është vetëm një monument apo kujtim historik, por një detyrim i vazhdueshëm për të mbrojtur lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor. Kështu ka porositur Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), me rastin e 11 Tetorit – Ditës së Kryengritjes Popullore, duke tërhequr paralele mes luftës antifashiste të 85 viteve më parë dhe sfidave me të cilat përballet sot vendi.

Në kumtesën e saj, partia opozitare thekson se kryengritja e vitit 1941 ishte luftë për një shtet të lirë, për dinjitet njerëzor dhe kundër fashizmit, e jo për përçarje, nënçmim dhe ndarje të qytetarëve.

Sipas LSDM-së, vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare duhet të mbeten udhërrëfyes edhe në kohën e sotme, ndërsa retorika që nxit përçarje nuk përputhet me trashëgiminë antifashiste. “Ai fjalor nuk buron nga 11 Tetori dhe vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare. Ai fjalor i përket një tradite tjetër. LSDM-ja e kujton traditën e saj, gjithmonë në anën e duhur të historisë”, thuhet në kumtesën e partisë.

Socialdemokratët vlerësojnë se detyrimi i sotëm ndaj brezave që luftuan për liri është ndërtimi i një shteti ku sundon ligji, respektohet liria e shprehjes, mediat janë të pavarura dhe institucionet punojnë në interes të qytetarëve. Njëkohësisht, partia bën thirrje për paqe dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, në vend të provokimeve dhe përçarjeve.

Në kumtesë theksohet se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian, me standard më të lartë jetese, paga dhe pensione dinjitoze, ujë të pastër dhe kushte që të rinjtë të mos detyrohen të largohen nga vendi. “Patriotizëm është mënyra se si jetohet sot dhe ajo që u lihet fëmijëve nesër. Që të mos detyrohen të marrin pasaporta bullgare. Që të mos shtiren si patriotë për interesa personale, por ta duan dhe ta respektojnë vërtet atdheun e tyre. Patriotizmi i rremë nuk guxon të jetë rrugë drejt pushtetit”, porosisin nga LSDM-ja.

Partia opozitare ka drejtuar kritika të ashpra edhe ndaj politikave të Qeverisë, duke pretenduar se vendi nuk duhet të vihet në shërbim të interesave të huaja apo të agjendave që nuk u shërbejnë qytetarëve. “Maqedonia nuk është deponi për projektin e dikujt tjetër. Nuk është minierë për municionin e dikujt tjetër. Nuk është pajisje për digjitalizimin e dikujt tjetër. Nuk është korridor për agjendën e dikujt tjetër. Nuk është arkë për provizione. Maqedonia është atdhe i përbashkët”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Nga kjo parti shtojnë se beteja e sotme duhet të përqendrohet te lufta kundër korrupsionit dhe krimit, rritja e pagave, mbrojtja e lirisë së mediave dhe sigurimi i një jete dinjitoze për të gjithë qytetarët. “Shtetin do ta kthejmë në shërbim të popullit. E ardhmja nuk është te përçarjet. E ardhmja është në Evropë, në drejtësi dhe në liri”, përfundon kumtesa e LSDM-së me rastin e 11 Tetorit.