Lionel Messi përgatitet për lamtumirën me kombëtaren argjentinase, 80 mijë të pranishëm biletat u shitën brenda 2 orëve

Dhe momenti po vjen. Lionel Messi do të luajë ndeshjen e tij të 208 dhe të fundit me kombëtaren argjentinase. Pranoi homazhin e propozuar nga federata argjentinase që për festën e madhe të nr.10 ka zgjedhur Benin si ‘sparring partner’.

21 VJET SHËRBIM— Messi do t’i thotë lamtumirë kombëtaresn në Monumental Stadium me një kapacitet mbi 80 mijë vendesh dhe ku biletat u shitën në vetëm 2 orë, 21 vjet pas debutimit yë tij me Hungarinë, i vetmi kundërshtar me të cilin debutoi edhe legjenda tjetër e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona me fanellën Albiceleste.  Diego Maradona e nisi pushtimin e botës nga Bombonera në 27 shkurt të 1977, Lionel Messi nga Puskas Arena në 17 gusht të 2005 dhe u ndëshkua me karton të kuq pas pak sekondash. Debutim surreal, karrierë e pafund që u m byll me dy finale botërori radhazi, njëra e fituar ndaj Francës në Katar dhe një e humbur ndaj Spanjës në Neë Jersey dy muaj e gjysmë përpara. Messi ishte i shkatërruar nga sëmundja e babait të tij dhe pak pas ndarjes nga jeta e të atit, futbollisti deklaroi tërheqjen nga kombëtarja.

MOMENTI I VËSHTIRË—Dhe këtu nisi një tjetër debat i stërzgjatur, por pa shumë vlerë. Federata Argjentinase po përjeton një moment shumë të trazuar. Presidenti Claudio Tapia është në proces për evazion fiskal dhe krime të tjera ekonomiko-administrative dhe për të lënë vendin duhet të kërkojë autorizim formal që vjen vetëm pas një pagese të majme.Trajneri Scaloni është drejt mbylljes së kontratës dhe prej muajsh po mendon largimin. Vetë Messi nuk ishte në favor të idesë për këtë ndeshje homazh sepse e konsideronte si lodrën e fundit të AFA për të siguruar të ardhuara të konsiderueshme falë emrit të tij.

KUNDËRSHTARË TË DOBËT— Në fund ai pranoi, por rreth ndeshjes është krijuar një lloj polemike. Për këtë pauzë për ndeshjet e kombëtareve, Argjentina vendosi të luajë 3 ndeshje miqësore në shtëpi me Bolivinë, Burkina Faso dhe Benin. ‘Sigurisht që do të më pëlqente të luaja me kundërshtarë më të fuqishëm’-tha trajneri Scaloni pa iu ardhur shumë rrotull fjalëve. Bolivia u mund 4-0, Burkina Faso 7-0 në atë që u përkufizua ‘miqësorja e turpit’ ndaj një skuadre U23 duke qënë se lojtarët e skuadrës së parë e kishin bojkotuar sfidën. Federata Argjentinase mbështetet te një agjenci kolumbiane që gjen federata të vogla që nuk pretendojnë para dhe që mund të udhëtojnë me linja ajrore ‘loë cost’  dhe që akomodohen në hotele modeste. Në pranverë erdhën Mauritania dhe Zambia. Burkinezët refuzuan, tani është Benin që pranoi të marrë pjesë falas në lamtumirën e Messit duke u kënaqur që të shfaqet në një foto historike. Lionel Messi do të kërkojë që të pasurojë bilancin e tij që është tashmë i jashtëzakonshëm me 125 gola me kombëtare, kjo edhe sepse është ende gara me Cristiano Ronaldon për kuotën e 1000 golave; jemi 979 kundrejt 931 në favor të portugezit që sapo u largua nga kombëtarja në rrethana melodramatike në këtë ‘sliding door’ emocional mes Evropës dhe Amerikës Latine

NJË KALVAR I VËRTETË— Për të përshëndetur Lionel Messin do të jenë thuajse të gjithë miqtë e tij që e shoqëruan në dy botërorët e fundit, një komb i tërë që vuajti jo pak për ta dashur aq sa arriti ta akuzonte se nuk e ndjente mjaftueshëmn fanellën Albiceleste  dhe se në kombëtare nuk luante kaq mirë sa te Barcelona që e mirëpriti që kur ishte 13 vjeç. Një kalvar i gjatë për Lionel Messin; 4 finalet e para të humbura, Copa America 2007, 2015 e 2016 dhe Botërori i 2014. Gjërar ndryshuan me ardhjen e Lionel Scalonit që ka luajtur me Messin në 3 ndeshje duke përfshirë edhe debutimin e 39 vjeçarit në Hungari. Dhe me dy Lionelat në 2021 më pak se 8 muaj nga ndarja nga jeta e Maradonës, Argjentina u kthye të fitojë Copa America, një trofe që nuk e ngrinte që nga 1993. Më pas në 2022 erdhi suksesi në Finalissima ndaj Italisë dhe titulli botëror në Katar, i treti pas atyre në 1978 dhe 1986 me Maradonën. Krahasimet me El Pibe De Oron më në fund u ndalën. Argjentina bie në këmbët e D10S të ri. Messi fitoi edhe Copa America 2024 dhe këtë verë në moshën 39 vjeçare  udhëhoqi Argjentinën deri në aktin e fundit të Botërorit. Në këto 21 vjet me kombëtaren, Lionel Messi ka rishkruar historinë e futbollit duke vendosur shumë rekorde dhe në mbrëmjen e së martës do të marrë përqafimin e fundit të një kombi që futbollistikisht mbetet jetim për herë të dytë.