Kryediplomati turk u kërkon anëtarëve në Samitin e Bakusë të mbështesin të drejtat e palestinezëve

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan tha sot se vendet anëtare të Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA) duhet të marrin një qëndrim të vendosur në mbështetjen e të drejtave të Palestinës, e cila është ndër anëtarët e grupit si dhe në kundërshtimin e shtypjes së vazhdueshme dhe shkeljeve të rënda, raporton Anadolu.

Duke iu drejtuar Samitit të 7-të të CICA-s në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, Fidan tha se “Ne nuk mund ta mbajmë këtë angazhim ndërsa Izraeli, një anëtar i CICA-s, shkel të drejtat themelore të popullit palestinez përmes një politike sistematike shtypjeje”.

“Një zgjidhje e qëndrueshme kërkon krijimin e një shteti palestinez të pavarur dhe sovran bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytetin e tij”, theksoi ai.

– Forumi më thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin e Azisë
Fidan vuri në dukje se një CICA më e fortë është thelbësore për të siguruar paqen dhe prosperitetin në një kohë kur ngritja e Azisë po formëson peizazhin global. “Turqia është e përkushtuar për forcimin e CICA-s si forumi më gjithëpërfshirës i sigurisë në Azi”, tha ai.

“Ne duhet të rrisim sigurinë ekonomike dhe të përmirësojmë ndërlidhjen duke zgjeruar lidhjet e transportit dhe duke diversifikuar korridoret e energjisë”, tha ai. Fidan theksoi rëndësinë e projektit të Korridorit të Mesëm, duke thënë se ai do të rrisë ndjeshëm efektivitetin e Iniciativës së Kinës “Një Brez, një Rrugë”.

“Kjo jo vetëm që do të lehtësojë tregtinë midis Azisë dhe Evropës, por gjithashtu do të na ndihmojë të ndërtojmë ura të reja për kontaktet midis njerëzve”, tha ai.

Lidhur me projektin e Rrugës së Zhvillimit, që nis nga porti i madh Faw në Irak dhe kalon përmes Turqisë, Fidan tha: “Ky projekt do të lidhë Gjirin me Evropën përmes Irakut dhe Turqisë, duke mbështetur stabilitetin dhe prosperitetin në rajon dhe më gjerë”.

Fidan theksoi rëndësinë e rritjes së sinergjive midis mekanizmave të ndryshëm të bashkëpunimit rajonal në Azi.

“Përmirësimi i koordinimit midis CICA-s, Organizatës së Shteteve Turke, Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik, Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait padyshim që do të forcojë lidhshmërinë në të gjithë kontinentin”, tha ai.

Sipas tij, ndërlidhja shtrihet edhe në botën dixhitale. Fidan tha se bashkëpunimi në shkencë, teknologji dhe inovacion duhet të thellohet në kuadër të CICA-s për të siguruar që inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e tjera në zhvillim t’u sjellin dobi njerëzve jo vetëm në Azi, por në të gjithë botën.

Kryediplomati turk tha se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon veprime për të adresuar sfidat mjedisore, duke vënë në dukje se Turqia vazhdon të luajë rol kryesor në përballimin e efekteve të ndryshimeve klimatike.