Në një intervistë për portalin The Hungary Insider, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar se ambiciet e Serbisë përbëjnë një kërcënim serioz për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Konjufca ka theksuar se përderisa Kosova mbetet e përkushtuar ndaj orientimit të saj euroatlantik dhe raporteve paqësore me të gjithë fqinjët e saj rajonalë, veprimet e Serbisë vazhdojnë të mbeten burim shqetësimi e tensioni për Kosovën.
“Ne e marrim seriozisht rrezikun e një përballjeje të re [të armatosur], duke ditur pasojat shkatërruese të luftës. Kosova është demokraci, e ardhmja e së cilës qëndron në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Populli ynë kërkon sigurinë për të ndërtuar jetën në paqe. Serbia, megjithatë, vazhdon ta pretendojë vendin tonë si pjesë të territorit të saj, përderisa ne nuk kemi asnjë pretendim territorial ndaj asnjë fqinji”.
Konjufca ka nënvizuar se grumbullimi i ushtrisë së Serbisë përgjatë kufijve të Kosovës, së bashku me sulmet e fundit në veri të vendit, kërkojnë vigjilencë serioze.
“Çdo përqendrim i ri i forcave serbe përgjatë kufijve tanë, ose një sulm tjetër kundër territorit tonë ose infrastrukturës sonë kritike, do të përbënte një përshkallëzim të rëndë”, ka potencuar Konjufca, teksa ka shtuar se parandalimi i zhvillimeve të tilla kërkon një prani të fortë të NATO-s dhe koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara.
“Ne do të vazhdojmë të konsolidojmë e të fuqizojmë institucionet tona të mbrojtjes, duke i mbetur njëkohësisht besnikë diplomacisë, dialogut konstruktiv dhe marrëdhënieve paqësore me të gjithë fqinjët tanë. Në fund të fundit, paqja afatgjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbështetet mbi një parim thelbësor: sovraniteti dhe integriteti territorial i çdo shteti duhet të respektohen pa asnjë përjashtim”.


