Pavarësisht kundërshtimeve të studentëve shqiptarë, kryeministri Hristijan Mickoski mbetet në qëndrimin se pjesa me gojë e provimit të jurisprudencës duhet të zhvillohet në gjuhën maqedonase. Studentët nuk e pranuan zgjidhjen e ofruar në takimin e së hënës me ministrin e Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke kërkuar që provimi të mbahet 100 për qind në shqip. Ndërsa ministri paralajmëron reformë rrënjësore, BDI e akuzon për shkelje të të drejtave kushtetuese dhe shndërrimin e tyre në objekt negociatash.
Kryeministri Hristijan Mickoski nuk ndryshon qëndrim për provimin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe, pavarësisht kundërshtimeve të studentëve shqiptarë ndaj zgjidhjes së ofruar nga Ministria e Drejtësisë. Një ditë pas takimit të ministrit Jeton Shasivari me studentët dhe përfaqësuesit e Fakulteteve Juridike, ku nuk u arrit marrëveshje për mbajtjen e plotë të provimit në shqip, Mickoski ka përsëritur se pjesa me shkrim mund të zhvillohet në gjuhën në të cilën kandidati ka përfunduar studimet, por pjesa me gojë duhet të mbetet në gjuhën maqedonase. I pyetur lidhur me pakënaqësinë e studentëve shqiptarë, të cilët nuk e pranojnë modelin e propozuar dhe kërkojnë që provimi të zhvillohet tërësisht në gjuhën shqipe, Mickoski ka deklaruar se qëndrimi i Qeverisë është i qartë. Sipas tij, e drejta për arsimim të lartë në gjuhën amtare dhe funksionimi i sistemit juridik janë dy çështje të ndryshme.
“Nuk i di unë cilat janë përqindjet dhe si i llogarisin atje. Qëndrimi i Qeverisë është i qartë. Sistemi juridik në Maqedoninë e Veriut është një gjë, ndërsa e drejta që të kryhet arsimi i lartë në gjuhën amë është një gjë tjetër”, ka deklaruar Mickoski.
Kryeministri ka theksuar se askush nuk ua mohon studentëve të drejtën për të studiuar në gjuhët në të cilat shteti mundëson arsimin e lartë, por ka këmbëngulur se pjesa praktike e provimit, ku simulohen procedura gjyqësore, duhet të zhvillohet në gjuhën maqedonase. “Për ne si Qeveri është logjike që pjesa e provimit me shkrim të jepet në atë gjuhë në të cilën studenti ka kryer arsimimin, ndërsa pjesa me gojë, ku simulohen një kontest civil dhe një kontest penal, për shkak se ajo paraqet simulim para sistemit juridik”, ka deklaruar Mickoski, duke shtuar se maqedonishtja mbetet lingua franca e sistemit juridik.
Ai është thirrur edhe në rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, duke theksuar se duhet të respektohen rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare. Deklarata e kryeministrit pason takimin e së hënës ndërmjet ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, studentëve dhe përfaqësuesve të fakulteteve juridike, ku u diskutua modeli i ri për mbajtjen e provimit të jurisprudencës. Propozimi parasheh që pjesa teorike të zhvillohet në gjuhën në të cilën kandidatët kanë përfunduar studimet, ndërsa pjesa praktike në gjuhën maqedonase. Megjithatë, studentët shqiptarë nuk e pranuan këtë ndarje, duke këmbëngulur që provimi të mbahet plotësisht në shqip.
Pas takimit, ministri Shasivari paralajmëroi vazhdimin e konsultimeve me studentët, dekanët dhe profesorët universitarë, si dhe unifikimin e literaturës për provimin e jurisprudencës. Ai e cilësoi procesin si një hap të rëndësishëm drejt tejkalimit të barrierës gjuhësore. “Do të kemi një cikël takimesh. I informova edhe studentët dhe dekanët, ndërsa i ftoj edhe profesorët universitarë që të unifikohet literatura. Për herë të parë pas shumë vitesh do të ketë zgjidhje. Është reformë rrënjësore, është një progres i madh gjuhësor”, deklaroi Shasivari.
Ministri nuk dha një afat konkret për realizimin e ndryshimeve, por u shpreh optimist se zgjidhja do të arrihet së shpejti. “Nuk kam përmendur përqindje fare. Unë i bëj përllogaritjet mirë, jo me kalkulator, por me orë. I numëroj ditët e fundit kur do të hiqet kjo barrierë gjuhësore”, u shpreh ai.
Megjithatë, optimizmi i ministrit nuk është ndarë plotësisht nga përfaqësuesit e studentëve. Mevlan Ademi, nga Lëvizja Studentore, pas takimit vlerësoi se propozimi paraqet një avancim krahasuar me qëndrimet e mëparshme të institucioneve, por nuk e përmbush kërkesën themelore për mbajtjen e provimit 100 për qind në gjuhën shqipe. “Si përfundim, provimi i jurisprudencës mbetet në gjuhën maqedonase!”, reagoi Ademi, duke theksuar se propozimi nuk parasheh mbajtjen e plotë të provimit në shqip, nuk përcakton afat kohor dhe, sipas tij, anashkalon dispozitat ekzistuese kushtetuese dhe ligjore.
Megjithatë, Ademi e ka cilësuar si pozitiv ndryshimin gradual të qëndrimit të institucioneve. Ai ka kërkuar angazhim të përbashkët të përfaqësuesve politikë shqiptarë për arritjen e një zgjidhjeje të plotë, duke paralajmëruar se studentët mund t’u rikthehen protestave. “Ne studentët s’kemi kohë të humbim me lojëra politike dhe ndoshta do të organizohemi sërish t’i kthehemi rrugës”, ka paralajmëruar Ademi.
Ndërkohë, BDI ka reaguar ndaj qëndrimeve të ministrit Shasivari, duke e akuzuar se po e trajton përdorimin e shqipes në provimin e jurisprudencës si çështje që duhet të zgjidhet përmes negociatave dhe akteve nënligjore, në vend të zbatimit të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve. “Sipas logjikës së ministrit Shasivari, gjuhë juridike mbetet vetëm gjuha maqedonase, ndërsa përdorimi i shqipes trajtohet si çështje që duhet të negociohet, të diskutohet dhe të rregullohet përmes akteve nënligjore. Nga një e drejtë që buron nga Kushtetuta dhe ligji, ministri po zbret te aktet nënligjore! Kjo nuk është zgjidhje e problemit, por krijim i problemit”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Nga kjo parti kanë kritikuar edhe takimet e vazhdueshme të ministrit me studentët, duke vlerësuar se konsultimet nuk mund të paraqiten si sukses politik përderisa kërkesa e studentëve vazhdon të mbetet e parealizuar. “Ministri i Drejtësisë po shndërrohet në ministër të takimeve! Takime, konsultime, biseda dhe premtime, por studentët shqiptarë vazhdojnë të përballen me të njëjtën pengesë: pamundësinë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe”, thekson BDI. Sipas kësaj partie, të drejtat kushtetuese nuk mund të varen nga vullneti i ministrit apo nga rezultatet e konsultimeve, ndërsa aktet nënligjore duhet të shërbejnë për zbatimin e ligjeve dhe jo për kufizimin e të drejtave që ato garantojnë.


