Autoritetet izraelite shembën të hënën rreth 80 shtëpi në fshatin palestinez Al-Dhahiya, në rajonin Negev të Izraelit jugor, duke lënë pa strehë rreth 400 persona, mes akuzave se ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, po i përdor shembjet e banesave si pjesë të fushatës së tij zgjedhore.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se ekipet e Autoritetit të Tokave të Izraelit, të shoqëruara nga forca të përforcuara policore nën varësinë e ministrisë së Ben-Gvirit, shembën rreth 80 shtëpi me pretendimin se ishin “ndërtuar pa leje” në Al-Dhahiya, një fshat i panjohur zyrtarisht nga autoritetet izraelite, në veri të qytetit Rahat.
Shembjet u kryen pasi Gjykata e Qarkut në Beersheba hodhi poshtë të dielën një kërkesë për shtyrjen e tyre, raportoi KAN, duke shtuar se në këto banesa jetonin rreth 400 persona.
Javët e fundit, Ben-Gvir ka promovuar publikisht shembjen e qindra banesave në pronësi të qytetarëve palestinezë të Izraelit, të njohur edhe si arabë izraelitë, nën pretendimin se ishin ndërtuar pa leje.
Të martën e kaluar, Ben-Gvir mori pjesë në shembjen e një ndërtese pesëkatëshe ku jetonin 70 palestinezë, në lagjen At-Tur të Kudsit Lindor të pushtuar. Guvernatori i Kudsit e përshkroi këtë veprim si “shfrytëzim zgjedhor të Kudsit në kurriz të palestinezëve”.
Lista e Përbashkët, një aleancë e tri partive arabe, i dënoi shembjet e banesave si “një sulm flagrant ndaj të drejtave më themelore njerëzore dhe kombëtare të popullit tonë”.
“Shembjet janë vazhdimësi e politikave të qeverive të njëpasnjëshme izraelite për shkatërrimin, dëbimin dhe zhvendosjen e banorëve të fshatrave arabe në Negev”, deklaroi aleanca.
Edhe nënkryetari i Bashkisë së Rahatit, Hassan al-Nasasra, i dënoi shembjet.
“Këto shembje nuk përbëjnë në asnjë mënyrë zbatim të ligjit, por janë thjesht propagandë zgjedhore për Ben-Gvirin racist dhe grupin e tij”, tha ai në një deklaratë.
KAN-i raportoi gjithashtu se kreu i Listës së Bashkuar Arabe, Mansour Abbas, i dërgoi një letër urgjente Prokurores së Përgjithshme, Gali Baharav-Miara, duke e kërkuar pezullimin e menjëhershëm të urdhrave për shembjen e banesave deri në përfundimin e zgjedhjeve dhe formimin e një qeverie të re.
Zgjedhjet e përgjithshme në Izrael janë planifikuar të mbahen më 27 tetor.
Abbas paralajmëroi kundër përdorimit të shembjeve të banesave për “qëllime politike dhe zgjedhore”, duke theksuar se Ben-Gvir ishte mburrur publikisht me pjesëmarrjen e tij në këto operacione, “në një mënyrë që cenon integritetin e zgjedhjeve dhe paanshmërinë e institucioneve të zbatimit të ligjit”.
“Banorët e fshatrave të panjohura zyrtarisht në Negev nuk mund të pajisen me leje ndërtimi për shkak të mungesës së planifikimit urban, për të cilin përgjegjësinë e mban shteti”, tha ai, duke kërkuar ndalimin e plotë të shembjes së banesave të banuara në këto fshatra.
Dhjetëra fshatra palestineze në Negev nuk njihen nga autoritetet izraelite, të cilat i konsiderojnë banesat e tyre ndërtime pa leje dhe nuk u sigurojnë lidhje me rrjetet e ujësjellësit, energjisë elektrike apo rrugëve, si dhe nuk ofrojnë shkolla, qendra shëndetësore dhe shërbime të tjera bazë.
Vitin e kaluar, gazeta izraelite Yedioth Ahronoth raportoi se numri i urdhrave për shembje në rajon ishte rritur deri në 400 për qind që nga fillimi i atij viti. Kjo nxiti kritika nga organizatat izraelite për të drejtat e njeriut, të cilat e cilësuan fushatën si “diskriminuese” dhe të drejtuar posaçërisht kundër komunitetit beduin.
Beduinët palestinezë në Negev janë fise arabe që kanë jetuar në këtë rajon prej shekujsh, shumë kohë përpara krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948.
Izraeli u themelua në vitin 1948 në territore të marra nën kontroll nga grupet e armatosura sioniste, ndërsa në vitin 1967 pushtoi territoret e mbetura palestineze, përfshirë Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Kudsin Lindor.


