Izet Mexhiti: Humbja e Vuçiqit goditje për modelin autokratik të qeverisjes

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka vlerësuar se fitorja e listës studentore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi shënon një moment të rëndësishëm politik, duke e cilësuar humbjen e Aleksandar Vuçiqit si goditje ndaj modelit autokratik të qeverisjes.

Në një reagim pas zgjedhjeve të 25 tetorit, Mexhiti thekson se kontrolli mbi mediat, presioni ndaj kundërshtarëve dhe kapja e institucioneve nuk mund ta bëjnë një pushtet të përjetshëm.

“Demokracia jeton përmes rotacionit politik dhe llogaridhënies. Politikanët nuk janë pronarë të shtetit, por përfaqësues të qytetarëve, të cilët kanë fuqinë t’ua japin dhe t’ua marrin mandatin”, shkruan Mexhiti.

Ai e lidh këtë zhvillim edhe me të ardhmen e nismës “Ballkani i Hapur”, duke shprehur qëndrimin se ndryshimi politik në Serbi mund të hapë rrugën për një model të ri bashkëpunimi rajonal, të mbështetur në partneritet, reciprocitet dhe barazi mes shteteve sovrane.

“Ballkani i hapur duhet të jetë një Ballkan i barabartë, jo një rajon nën hijen e ambicieve dominuese të askujt”, thekson Mexhiti.

Bashkëkryetari i VLEN-it u referohet edhe zgjedhjeve në Luginën e Preshevës, ku partitë shqiptare garuan me një listë të përbashkët. Ai e cilëson bashkëpunimin politik si rrugën për forcimin e përfaqësimit shqiptar në Parlamentin e Serbisë.

“Bashkimi i forcave, bashkëpunimi dhe veprimi i përbashkët”, është mesazhi që Mexhiti përcjell për shqiptarët e Luginës së Preshevës.