Shqiptari nga Tetova, Imer Ziberi, po kandidon për Këshillin Komunal në Ptuj të Sllovenisë, me synimin që komuniteti shqiptar të ketë përfaqësimin dhe zërin e tij në vendimmarrjen lokale.
Imer Ziberi, me origjinë nga Tetova, është pjesë e garës për Këshillin Komunal në qytetin e Ptujit të Sllovenisë, ku kandidon në listën e Socialdemokratëve (SD), me numrin rendor 8, ndërsa për votën preferenciale mban numrin 25.
Ziberi thotë se vendimi për të kandiduar ka një qëllim të vetëm: të jetë zëri i shqiptarëve në këtë komunë dhe të kontribuojë që shqetësimet, interesat dhe nevojat e tyre të dëgjohen në institucionet lokale, njofton TS.
Kandidimi i tij synon të krijojë një mundësi më të madhe për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në jetën publike dhe në proceset vendimmarrëse të qytetit të Ptujit.
Për Ziberin, kjo garë nuk është vetëm një angazhim politik, por edhe një mundësi për të kontribuar në forcimin e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së shqiptarëve në shoqërinë sllovene.
Me mesazhin për të ecur përpara së bashku, ai synon të fitojë besimin e qytetarëve dhe të jetë një zë aktiv për shqiptarët.



