Haxhiu: Dëgjojini kërkesat e studentëve, arroganca vetëm i nxit protestat

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka komentuar zhvillimet dramatike të javës së fundit në Shqipëri, duke bërë thirrje për ndaljen e dhunës dhe dëgjimin e kërkesave të studentëve protestues nga institucionet qeverisëse në Tiranë.

Sipas saj, udhëheqësit e institucioneve e kanë për obligim t’i trajtojnë kërkesat e studentëve dhe të shmangin qasjen arrogante, e cila vetëm sa i nxit më tej protestat.

“Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet. Besoj që secili prej drejtuesve të insitucioneve e ka për obligim t’i trajtojë kërkesat e studentëve. Ne nuk e mbështesim dhunën. Ajo duhet të ndalet nga të dyja palët, por është e rendësishme qasja serioze, jo arroganca: ajo vetëm i nxit protestat”.

Gjithashtu, ajo ka hedhur poshtë pretendimet për pjesëmarrjen e organizuar të mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje në protestat në Tiranë.

“Sa i përket pjesëmarrjes, dua të theksoj që asnjëherë nuk ka pasur thirrje nga Lëvizja Vetëvendosje që të mbështeten protestat. Nuk mund të mbahet përgjegjëse Lëvizja Vetëvendosje nëse mbështetësit e saj shkojnë e protestojnë në Tiranë”.