Alarm në Klinikën e Neurologjisë: të 50 shtretërit të mbushur, shtohen rastet e goditjeve në tru
Të 50 shtretërit e Klinikës së Neurologjisë janë të zënë për shkak të rritjes së numrit të pacientëve që kanë pësuar goditje në tru. Mjekët e lidhin këtë situatë me luhatjet e mëdha të temperaturave. Këtë e ka konfirmuar për agjencinë Meta drejtori i Klinikës së Neurologjisë, Jovan Bozhinovski.
Sipas tij, pacienti më i ri që ka pësuar goditje në tru gjatë ditëve të fundit dhe aktualisht po trajtohet në klinikë është 37 vjeç, ndërsa më i moshuari është 94 vjeç. Rritjen e numrit të rasteve të goditjeve në tru dhe të infarkteve e konfirmon edhe Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.
“Klinika është vazhdimisht në kërkim të shtretërve të lirë, pasi kapacitetet tona janë plotësisht të mbushura. Sapo lirojmë pacientë, pranojmë të tjerë. Shumica e pacientëve të hospitalizuar janë të moshuar dhe vuajnë nga sëmundje kronike, përfshirë hipertensionin, diabetin, insuficiencën kardiake dhe sëmundje të tjera kardiovaskulare. Kemi nevojë për shtretër shtesë, pasi nuk trajtojmë vetëm pacientë me goditje në tru, por edhe persona me sëmundje të tjera neurologjike”, deklaroi Bozhinovski për Metën.
Ai bëri të ditur se një muaj më parë në klinikë ishte regjistruar edhe një rast i pazakontë, kur një pacient vetëm 16 vjeç kishte pësuar goditje në tru.
Sipas Bozhinovskit, ndonëse goditjet në tru nuk mund të parandalohen plotësisht, ekzistojnë faktorë rreziku që mund të kontrollohen dhe të trajtohen në kohë.
“Parandalimi nuk është i mundur në masën 100 për qind, por faktorët e rrezikut mund të kontrollohen. Te pacientët e rinj, zakonisht bëhet fjalë për anomali të zemrës ose aneurizma, të cilat mund të mos shfaqin simptoma”, shpjegoi ai.
Drejtori i Klinikës së Neurologjisë theksoi se goditja në tru është një nga shkaqet kryesore të paaftësisë afatgjatë, ndaj kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore është vendimtar.
“Kur pacientët kërkojnë ndihmë mjekësore me vonesë, rrezikojnë të mbeten me paaftësi të përhershme”, paralajmëroi Bozhinovski.
Rritjen e rasteve të goditjeve në tru dhe të infarkteve gjatë ditëve të fundit e konfirmoi edhe Dragan Panov, mjek dhe përgjegjës turni në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.
“Automjetet e ndihmës së shpejtë janë në lëvizje gjatë gjithë ditës. Kemi shumë raste të infarkteve dhe goditjeve në tru, ndërsa ndryshimet e motit ndikojnë veçanërisht te personat me sëmundje kronike. Gjithashtu, kemi pasur lëndime në vendin e punës, raste të personave që rrëzohen në rrugë dhe kolapse. Është e rëndësishme që pacientët të ndjekin rregullisht terapinë e përshkruar. Përveç këtyre rasteve, kemi edhe shumë aksidente trafiku, prandaj numri i ndërhyrjeve urgjente është i lartë”, deklaroi Panov për Metën.
Pas periudhës së motit të ftohtë, vendi po përballet me ndryshime të ndjeshme të temperaturave.
Sipas Administratës për Punë Hidrometeorologjike, sot pritet mot me diell, me temperatura ditore që do të arrijnë deri në 24 gradë Celsius. Për nesër parashikohet mot i ndryshueshëm, me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa në pjesët perëndimore të vendit, drejt fundit të ditës, janë të mundshme reshje lokale shiu.
Nga pasditja e nesërme dhe gjatë ditëve në vijim pritet mot i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje shiu. Reshjet më intensive dhe të rrëmbyeshme parashikohen të enjten, të shoqëruara herë pas here me bubullima.
Ndërkohë, sot pritet të promovohen 100 autoambulanca të reja. Për këtë ngjarje, Qeveria ka realizuar një video promovuese me produksion të nivelit të lartë, duke përdorur disa kamera dhe dronë. Pamjet nga xhirimet janë publikuar në rrjetet sociale nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.


