Goditje për Barcelonën, Dani Olmo humbet supersfidën ‘El Clasico’

Barcelona ka marrë një lajm të keq pas humbjes 4-2 ndaj PSG-së në Champions League. Mesfushori Dani Olmo është dëmtuar gjatë ndeshjes në Paris dhe, sipas raportimeve të mediave spanjolle, është i përjashtuar nga ‘El Clasico’ i së dielës kundër Real Madridit.

Futbollisti 27-vjeçar u detyrua të largohej nga fusha rreth minutës së 30-të, pasi ndjeu dhimbje pas një goditjeje në kofshën e majtë. Ekzaminimet e para ngritën dyshime për një problem në muskulin aduktor të këmbës së majtë.

Olmo do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore këtë të mërkurë, të cilat do të përcaktojnë shkallën e dëmtimit dhe kohën e nevojshme për rikuperim. Megjithatë, në këtë moment, prania e tij në përballjen e madhe me Real Madridin konsiderohet e përjashtuar.

Dëmtimi vjen në një moment të pafavorshëm për mesfushorin, i cili ndaj PSG-së regjistroi ndeshjen e tij të 100-të me fanellën e Barcelonës. Olmo nuk kishte pësuar dëmtim që prej 3 dhjetorit, kur pësoi një zhvendosje të shpatullës pas golit të shënuar kundër Atletico Madridit.

Problemi i fundit muskulor datonte më 10 tetor 2025. Që nga ajo kohë, spanjolli kishte qenë i pranishëm në 44 ndeshje radhazi, 32 në sezonin e kaluar dhe 12 në edicionin aktual.

Mungesa e tij do të ishte një tjetër shqetësim për trajnerin Hansi Flick, i cili duhet të përgatisë skuadrën për sfidën e rëndësishme ndaj rivalëve madrilenë, pas një disfate të hidhur në arenën europiane. Për Barcelonën, ekzaminimet mjekësore do të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Olmo do të mungojë vetëm në ‘El Clasico’ apo do të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë më të gjatë.