“Fshati digjet, plaka krihet” Kritika të shumta ndaj Kurtit dhe Gërvallës, qeshnin pa ndalë dje në seancën për Arlinda Zekajt
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur dje në seancë të jashtëzakonshme pas vrasjes së rëndë të Arlinda Zekajt një ditë më parë nga kunati i saj dhe dhunës së vazhdueshme që pati nga ish-bashkëshorti.
Derisa deputetët po flisnin për këtë temë, në një moment kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u panë duke u qeshur.
Kurti dhe Gërvalla qeshën aq shumë, sa pamjet u shndërruan në diçka krejtësisht të padurueshme, transmeton lajmi.net.
Në këto komentime u theksua edhe fakti se Gërvalla, përveçse është në krye të Ministrisë së Drejtësisë, ajo është edhe koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave.
Kuvendi i Kosovës dje miratoi një rezolutë që bën thirrje për hetim parlamentar në një seancë të jashtëzakonshme e cila u mbizotërua kryesisht nga akuza e kundër akuza mes pushtetit dhe opozitës se kush mban përgjegjësinë për rastet e vrasjeve nga dhuna në familje në vend.
E pamja kur Kurti dhe Gërvalla po qeshnin është bërë virale në rrjetet sociale.
“Parlamenti i Kosovës mbajti një seancë të jashtëzakonshme për këtë rast. Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, koordinatorja kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave, u panë duke qeshur gjatë seancës, duke shkaktuar zemërim midis kritikëve”,thuhet në reagim.
Reagim i plotë:
Një tjetër grua është vrarë në Kosovë në një rast dhune në familje, vetëm disa ditë pasi u dërgoi një mesazh urgjent institucioneve duke u lutur ta shpëtonin. Ajo u injorua. Mesazhi tani është bërë viral duke shkaktuar zemërim në vend. Parlamenti i Kosovës mbajti një seancë të jashtëzakonshme për këtë rast. Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, koordinatorja kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave, u panë duke qeshur gjatë seancës, duke shkaktuar zemërim midis kritikëve. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe komentuesit akuzuan institucionet se mbajtën fjalime pa ndërmarrë veprime konkrete për të mbrojtur gratë. 8 gra janë vrarë këtë vit nga burrat e tyre ose anëtarë të tjerë meshkuj të familjes./Lajmi.net/