Eli Fara reagon për cenimin e privatësisë: “Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem”

Këngëtarja Eli Fara ka reaguar publikisht pas shpërndarjes së një videoje intime, duke e cilësuar situatën një cenim të privatësisë dhe dinjitetit të saj. Në deklaratën e saj, artistja shprehet se gjykimet dhe fyerjet kanë prekur edhe familjen, ndërsa u kërkon qytetarëve të ndalojnë shpërndarjen e materialit.

Kam kaluar një jetë në skenë, duke ndarë me publikun këngën dhe dashurinë për artin. Sot po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, shkruan Fara.

 

Këngëtarja kritikon mënyrën se si gratë përballen me paragjykime edhe kur privatësia e tyre cenohet kundër vullnetit. Sipas saj, përgjegjësia duhet të bjerë mbi personat që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë materiale private pa dijeninë dhe pëlqimin e personit.

 

“Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem. Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një njeriu. Intimiteti i një gruaje nuk është leje për ta poshtëruar”, thekson artistja.

 

Fara nënvizon se të qenit personazh publik nuk ia heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet, një e drejtë që, siç shprehet ajo, i përket çdo gruaje, pavarësisht emrit, profesionit apo zgjedhjeve të saj.

 

Për hapat e mëtejshëm, këngëtarja deklaron se çështjen do t’ia lërë në dorë drejtësisë. Ndërkohë, ajo i drejton publikut një apel për mirëkuptim dhe ndalimin e shpërndarjes së videos.

 

“Nga publiku kërkoj njerëzillëk dhe ndalimin e shpërndarjes. Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, shkruan ajo